Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suedia e shqetësuar me situatën në veri

Jonas Westerlund

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është i shqetësuar në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Westerlund në një intervistë për “KosovaPress”, nuk ka mundur ta fshehë zhgënjimin e shqetësimin për situatën në veri të Kosovës.

Ai kishte qenë pjesë e misionit të OSBE-së në vitin 1999 në Kosovë.

“Jam i zhgënjyer në kuptimin që, e mbaj mend që kam kaluar nëpër urën në Mitrovicë më 1999, dhe më kujtohet se kam kaluar nga ana jugore në anën veriore, dhe menjëherë vinin disa serbë të Kosovës për të na kontrolluar se kush ishim, kontrollonin pasaportën time. Nuk do të mund ta imagjinoja që 23 vjet më vonë, do të kisha të njëjtën ndjenjë gjatë kalimit të urës. Kështu që jam i zhgënjyer që Ballkani nuk ka mundur të përparojë më shumë”, tha ai. “Është një situatë mjaft shqetësuese për momentin. Natyrisht, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën. Kjo kryesisht po bëhet përmes të dërguarit të BE-së, Lajçak, i cili sapo vizitoi Kosovën së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Escobar. Suedia natyrisht i mbështet përpjekjet e tyre, dhe ekziston një situatë shumë e rrezikshme, një mosmarrëveshje e vogël mund të ketë pasoja të rënda, kështu që ju bëjmë thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe komunitetit lokal, që ta de-eskalojnë situatën”.

Ai ka thënë se duhet pasur një dialog mes Qeverisë dhe komunitetit serb në Kosovë.

Ndërsa po ashtu ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për statusin e shtetit kandidat në Bashkimin Evropian.

Edhe Ambasadori suedez kërkon nga Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese Arbëri Ambasadori suedez kërkon nga Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese

“Suedia mbështet plotësisht aspiratat e Kosovës për t'u bërë anëtare e BE-së. E mirëpresim aplikimin e Kosovës. Siç e dini, Suedia do të marrë presidencën e BE-së në fillim të janarit, pas Republikës Çeke. Suedia do të merret me këtë aplikim gjatë Presidencës së saj në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe ne do ta bëjmë këtë në mënyrë profesionale, por sigurisht në dialog me të gjithë anëtarët e tjerë të BE-së, në veçanti me pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi Westerlund.

I pyetur nëse pesë shtetet mosnjohëse të BE-së do ta komplikojnë rrugën drejt anëtarësimit, Westerlund e pohon një gjë të tillë por shton se vështirësi do të sjellë edhe situata aktuale në veri

“Unë mendoj se sigurisht që kjo i ndërlikon gjërat. Mendoj se edhe situata aktuale në pjesën veriore të Kosovës i ndërlikon gjërat”, shton Westerlund./KSP