Përfaqësues të caktuar politikë, që kanë qenë pjesë e kësaj gare, kanë pranuar zhgënjimin, pasi sipas tyre ky komunitet në mandatin e ri nuk do të ketë përfaqësim në organin vendimmarrës lokal.
Subjektet politike nga radhët e komunitetit rom, që kanë garuar në zgjedhjet komunale të tetorit në bazë të rezultateve preliminare nuk kanë arritur që të sigurojnë vota të mjaftueshme për përfaqësim në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Përfaqësues të caktuar politikë, që kanë qenë pjesë e kësaj gare, kanë pranuar zhgënjimin, pasi sipas tyre ky komunitet në mandatin e ri nuk do të ketë përfaqësim në organin vendimmarrës lokal.
“Pritjet tona prej fillimit kanë qenë më ndryshe, për arsye se kemi pasur një listë adekuate të kandidatëve për përfaqësimin e komunitetit rom në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Bazuar në kalkulimet tona fillestare, kjo që dukej e mundshme dhe terreni na ka lejuar me besua në këtë mundësi, pasi kemi parë një optimizëm dhe bashkëpunim të mirë”, ka thënë Sejnur Veshall, bartës i listës në Lëvizjen Përparimtare të Romëve të Kosovës (LPRK).
Sipas tij, numri i konsiderueshëm i votave të pavlefshme, sikurse edhe futja në garë e dy subjekteve politike rome, ka bërë që të mos arrihet numri i nevojshëm i votave për sigurimin e një ulëseje në KK, derisa vota e pjesëtarëve të këtij komuniteti është kërkuar edhe nga partitë e shumicës.
“Jemi dëmtuar me votat e pavlefshme, diku janë mbi 150 sosh, pasi pjesa e koalicionit tonë me VV-në, si duket u keqkuptua dhe me një fletë janë votuar edhe subjekti ynë edhe VV-ja. Gjithashtu, edhe në ditën e fundit ka pasur një kthesë marramendëse të votuesve për taborët e tjerë politikë, kështu që na rezulton se nuk do të kemi përfaqësim në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Ndoshta duhet më shumë mobilizim, por tendenca e partive të mëdha me marrë vota brenda komunitetit tonë ka qenë e ashpër dhe si duket kanë arritur rezultate në momentet e fundit”, ka deklaruar Veshall, që njëherësh është zëvendësministër në MKRS.
Sipas tij, epilogu i zgjedhjeve komunale të tetorit nuk ka qenë i favorshëm për përfaqësimin e komunitetit rom në organet komunale të Prizrenit, pasi përpjekjet kanë qenë që zëri dhe interesat e tyre të dëgjohen edhe në organin ku shqyrtohen e miratohen politikat publike komunale. “Mospërfaqësimi ynë në Kuvendin e Komunës është zhgënjyes, pasi s’kemi me pas një zë rom, që avokon për interesat e këtij komuniteti. Por për këtë përgjegjësinë e ndajmë të gjithë”, është shprehur ai.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, LPRK-ja të dielën e shkuar ka marrë 391 vota apo 0,73 %, derisa Partia Rome e Bashkuar e Kosovës ka marrë 121 vota apo 0.23 %. Bazuar në këto rezultate, parashikimet janë që KK-ja e Prizrenit të përbëhet nga subjektet: VV, PDK, LDK, AAK, Nisma, KDTP, Vakat, NDS, SDU dhe YTHP. Por një gjë e tillë do të dihet saktësisht vetëm pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja. Veshall pohon se numri i votave të subjektit të tij në rezultatet përfundimtare mund të jetë më i lartë, por i pamjaftueshëm për të siguruar ulësen në KK-në e Prizrenit. Sipas tij, mbetet që akterët politikë romë të angazhohen më shumë në emancipimin politik.
“Ndërkohë, puna jonë do të vazhdojë në institucionet e nivelit qendror për të ofruar politika sa më gjithëpërfshirëse”, ka përfunduar Veshall.