Arbëri

Studentja e Mjekësisë nuk pranohet asistente, ikën për në Gjermani

Që nga themelimi, Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ka pasur pak studentë si Shqipdona Lahu, e cila ka përfunduar studimet me notë maksimale.

Por, gjashtë vjet studime me suksesin më të lartë të mundshëm, nuk kanë mjaftuar që ajo të zgjidhet asistente e jashtme në asnjërën nga tri lëndët ku ka aplikuar në këtë fakultet, raporton KTV.

Vendimin e Këshillit të Fakultetit, Lahu e quan skandaloz, pasi thotë se për këto pozita janë zgjedhur kandidatë me notë mesatare më të ulët se ajo.

Përveç përzgjedhjes, Lahu thotë se parregullsi ka pasur edhe në mënyrën e raportimit për arsyet e pranimit apo mospranimit të kandidatëve.

Ndonëse ka pasur sukses të rrallë, Lahu ankohet se asnjëherë nuk është vlerësuar as nga Dekanati e as nga Rektorati.

Mirëpo, Lahu ka vendosur që ta lërë Kosovën, pasi kapaciteti i saj intelektual është vlerësuar në një fakultet në Gjermani, i cili e ka pranuar atë për studimet e doktoraturës.

Studentja shpreson që reagimi i saj të ketë ndikim në mospërsëritjen e rasteve të tilla.

Dekanja e këtij fakulteti Suzana Manxhuka-Kërliu nuk ka pranuar të flas për Kohavisionin lidhur me këtë rast. Mirëpo, asistentja e saj ka thënë se dekanja ka deklaruar se procesi i rekrutimit të asistentëve për këto lëndë ende nuk ka përfunduar.

Pyetjeve me shkrim të televizionit nuk u është përgjigjur as Rektorati i Universitetit të Prishtinës, derisa rektori Marjan Dema ka qenë i paqasshëm gjatë së enjtes.