Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentët në mënyrë kreative shpalosin vetveten dhe punimet e tyre

Në konferencën rajonale studentore që u mbajt në Kolegjin Riinvest për një qasje modern ndaj rritjes ekonomike – sfidat në kohën e teknologjisë, rektorja e Kolegjit Riinvest Bardha Qirezi tha se në kuadër të kësaj konference është menduar që studentët të prezantojnë punimet e tyre dhe të miqësohen si dhe të diskutojnë për bashkimin e tyre në të ardhmen.

“Është me rëndësi, së pari sa i përket zhvillimit të studentëve dhe shkathtësive të tyre akademike hulumtuese dhe prezantuese. Ne të gjithë e dimë se edhe në Kosovë dhe në Shqipëri mungojnë shumë komponentë hulumtimi dhe ka shumë pak organizime si konferenca në nivel të universiteteve. Ne kemi menduar që të krijojmë këtë shkathtësi te studentët që në studimet bachelor dhe shumica e prezantimeve këtu në këtë konferencë janë nga studentët e nivelit bachelor. Andaj, ne mendojmë që duke i sfiduar ata, duke i dhënë mundësi që të prezantojnë para një audience me të ndryshme përveç në klasa dhe në ligjërata, ata do t’i krijojnë këto shkathtësi gjatë viteve në vijim dhe do të bëhen edhe student, hulumtues dhe punëtorë më të mirë në të ardhmen”, tha Qirezi, transmeton KsP.

Elena Qirici, pedagoge në Universitetin Fan S. Nolin në Korçë, e cila ishte e pranishme me studentë të këtij universiteti, theksoi se konferenca e parë e këtij lloji është një e arritur e madhe për studentët e të dyja vendeve, për të prezantuar punimet e tyre dhe rekomandimet për qeverisje.

“Konferenca është e rëndësishme, sepse në radhë të parë ata në mënyrë kreative arrijnë të shpalosin vetveten dhe punimet e tyre, së dyti arrijnë të shkëmbejnë eksperienca me studentët e Kolegjit Riinvest dhe kryesorja është të krijohet rrjetëzimi, kontaktet dhe komunikimet që ata do të vendosin pse jo të ketë bashkëpunime pastaj studentët tanë të vazhdojnë mbase në cikël të dytë të studimeve”, ka thënë Qirici.

Për studentët në fund janë ndarë edhe certifikata.