Një grup studentësh të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Demokracia Studentore” kanë organizuar një protestë para këtij universiteti për t’i kundërshtuar një varg punësimesh të kundërligjshme.
Ky grup studentësh kanë vendosur edhe disa parulla në hyrje të universitetit me mbishkrime “Stop punësimeve familjare”, “Ne jemi zëri i arsyeje”, “Po i shuani ëndrrat tona” etj.
Driton Ismajli, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, me këtë rast ka thënë se kanë shumë arsyeje për të protestuar derisa po ndodhin padrejtësi brenda këtij universiteti.
Sipas tij, padrejtësitë po mbulohen brenda stafit akademik me arsyetim se klani i partisë “printo” nuk po lejon që të këqijat të shpërndahen jashtë në opinion.
“Kemi shumë fakte dhe arsyeje që po na bëjnë të jemi këtu dhe unë do t’i publikoi duke filluar nga keqpërdorimi i mjeteve financiare që ndodhin brenda dhe më e rëndësishmja është mbyllja e programeve nëpërmjet të cilave kanë mundur studentët të studiojnë, ndërsa tashti kemi vetëm dy drejtime. Kanë punësuar profesor pa ngritje profesionale dhe kemi një lloj nepotizmi i cili është mbjell brenda këtij universiteti dhe slogani i këtij universiteti është se nuk mundesh me qenë profesor nëse nuk e ke një librezë të partisë së PDK-së”, ka thënë midis të tjerash ai.
Edhe Mexhid Ramusa, përfaqësues i OJQ “Demokracia Studentore”, me këtë rast ka thënë se prej më shumë se pesë vjet po e monitorojmë këtë universitet së bashku me shumicën e universiteteve të tjera në Kosovë.
“Prej kohësh ia kemi adresuar prokurorisë së shtetit këto parregullsi sepse në këtë universitet është punësuar djali i sekretarit që sipas ligjit nuk ka të drejtë, pastaj është punësuar gruaja e dekanit me mbiemër të vajzërisë dhe aty ka shkelje ligjore. Pastaj dy djemtë e axhës së presidentit Hashim Thaçi, nipi i Azem Sylës etj. Në këtë universitet ka edhe profesor që prej tre vjetësh merr pagë megjithëse jeton në Austri, prandaj këtë rast e kanë shumë të lehtë ta hetojnë organet e drejtësisë duke shikuar hyrjet-daljet e këtij universiteti”, ka thënë ai.
{gallery}