Përfaqësues të studentëve nga të gjitha universitetet publike të Kosovës kanë paralajmëruar protestë më 16 janar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) rreth punësimeve partiake në këtë institucion si dhe emërimeve politike në këshillet drejtuese të universiteteve publike.
Në një konferencë për media para Qendrës së Studentëve, Diar Statovci nga Grupi i Pavarur i studentëve të Universitetit të Prishtinës ka thënë se nëse nuk largohen militantët partiak, studentët nuk do të ndalen me protesta, raporton Koha Ditore.
Ai ka bërë të ditur se ditëve të fundit janë ftuar në takim nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për ti dëgjuar kërkesat e tyre por që përfaqësuesit e studentëve nuk kane pranuar takime derisa nuk realizohen kërkesat e tyre.
“Protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona. Ne kemi tentuar të diskutojmë më ministrin Bytyqi dhe e kemi paralajmëruar që emërimi i militantëve partiak brenda Ministrisë dhe universiteteve po i politizon ato. Ne kemi pritur se ai do ti depolitizojë këto institucione mirëpo meqë ai nuk ka reflektuar në jemi detyruar të mbajmë protesta”, ka theksuar ai.
Sipas Statovcit, shqetësim tjetër i tyre janë edhe kushtet jo të mira në Universitetin e Prishtinës si dhe në Qendrën e Studentëve.