Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentët kërkojnë takim me Vitinë, kundërshtojnë masat e reja

Erzen Hyseni kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se kundërshtojnë masat e reja anti-Covid, sidomos mbylljen e Qendrave studentore dhe mensës.

Ai në emisionin SOT në KTV ka thënë se sipas të dhënave nuk ka pasur të infektuar as në Qendrën e Studentëve e as në mensë.

Hyseni tutje ka shtuar se para hyrjes në konvikte është matur temperatura e studentëve dhe sipas tij nuk ka pasur asnjë arsye që të mbyllen.

“Ne do të mundohemi që brenda javës të takohemi me ministrin Arben Vitia dhe t’ia tregojmë të gjitha kërkesat e studentëve sepse edhe afati i prillit është afër. Ne do të mundohemi që të mos vazhdohet kjo gjendje sepse është e panevojshme. Ne do të mundohemi që ta kemi një takim me ministrin dhe t’i adresojmë këto çështje. Mësimi online asnjëherë nuk mund ta zëvendësojë mësimin fizik. Në fakultete të ndryshme e kanë të domosdoshme punën praktike”, ka thënë ai.

Hyseni ka shtuar se shpresojnë që për një kohë të shkurtë të fillojnë mësimin fizik, duke shtuar se sidomos studentët e vitit të parë e kanë problem.