Këshilli Studentor i Fakultetit të Edukimit ka paralajmëruar se nesër do të bojkotojnë mësimin si pasojë e vendimit të MASHT-it për të mos i përfshirë studentët e këtij fakulteti në skemën e bursave.
Përmes një njoftimi, KS i FE thotë se do t’i mbrojnë të drejtat e studentëve me çdo kusht.
“Duke parë rrjedhën e ngjarjeve të cilat po i dëmtojnë studentët tonë më meritorë duke i anashkaluar nga bursa, kemi vendosur që të drejtat e studentëve t’i mbrojmë me çdo kusht deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kështu ne në koordinim me kryetarët e grupeve të studentëve nga të gjitha departamentet e FE (programet Bachelor dhe Master) kemi marrë vendim që nesër me datën 07.11.2019 nga ora 10:00 ta bojkotojmë mësimin”, thuhet në këtë njoftim, raporton Koha.net.
Kujtojmë se këtë javë, të hënën dhe të martën, studentë të Fakultetit të Edukimit, Fakultetit të Shkencave Sportive, të Arteve, atij Filozofik dhe të disa drejtimeve të Fakultetit të Mjekësisë, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit kundër konkursit të kësaj Ministrie për bursat e studentëve.
Përfaqësuesit e studentëve nga këto fakultete kanë kërkuar nga ministri Shyqiri Bytyqi që ta anulojë konkursin në të kundërtën kanë thënë se nuk i ndalin protestat.
Në ndërkohë, MASHT-i ka reaguar në lidhje me shqetësimet e këtyre studentëve. Në një komunikatë dërguar mediave të hënën, përveç që Ministria thotë se Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, organizatat studentore që po protestojnë i ka quajtur “manipuluese”, raporton Koha.net.
“Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje”, ka thënë MASHT-i në këtë komunikatë.
MASHT-i ndërkaq ka thënë se ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t'iu ndahen studentëve të kenë shumën e njëjtë siç janë ndarë edhe vitin e kaluar (880 euro).
Ministria thotë se mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj thotë se janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.
“Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT”, thotë ministria, raporton Koha.net.
Këtë vit, MASHT-i thotë të ketë ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse “përveç që ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungesë të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në to”.