Arbëri

StoneCastle në Panairin e Punës në Gjakovë ofron 300 vende pune

Vreshtaria dhe verëtaria StoneCastle ditën e sotme ka marrë pjesë në Panairin e punës në Gjakovë, ku për të rinjtë e kësaj komune ka ofruar 300 vende pune.

Këto vende të punës që StoneCastle i ka ofruar kanë qenë kryesisht në sektorin e vreshtarisë, por vende të lira të punës ka pasur edhe për laborantë dhe shoferë të mjeteve të kategorive të rënda.

Zyrtari ligjor në StoneCastle Fisnik Avdiu, ka thënë se panairi i punës u ka ofruar mundësi që të gjejnë më lehtë punëtorë të kualifikuar që iu nevojiten në kompaninë e tyre.

"Kjo është një ide shumë e mirë, shumë e qëlluar duke e ditur se mundësia për punësim në Kosovë është shumë e vështirësuar. Njëkohësisht i inkurajoj të rinjtë dhe të rejat e Komunës së Gjakovës dhe të regjionit që të vijnë të aplikojnë këtu dhe t'i shfrytëzojnë këto mundësi. Ne si kompani jemi pjesëmarrës që dy vite në këtë panair dhe është mundësi e mirë që neve na e ofron dhe na e lehtëson mundësinë e punësimit për shkak se kemi nevoja të jashtëzakonshme për punësim të të rinjve kryesisht në sektorin e vreshtarisë", tha ai.

Avdiu ka treguar se për cilat pozita po kërkojnë punëtorë, e ku numri i tyre është 300.

"Sot kryesisht po kërkojmë punëtorë në vreshtari, është një numër i konsiderueshëm afër 300 punëtorë po kërkojmë që të jenë të punësuar në sektorin e vreshtarisë. Njëkohësisht po kërkojmë edhe laborantë, kimistë saktësisht, shoferë me kategori të mjeteve të rënda, konkretisht autobusë dhe kamionë. Po ashtu, inxhinierë të bujqësisë të kualifikuar dhe me përvojë të punës", tha ai.

StoneCastle, përveç që merr pjesë në panairet vendore, është pjesë edhe e panaireve ndërkombëtare që organizohen.

"Pas këtij panairi jo të kësaj natyre, do të jemi pjesëmarrës tani me datën 17, 18, 19 do të jemi në Duseldorf, është një panair ku janë pjesëmarrës diku 5 mijë e 800 kompani që është një panair goxha i madh do të prezantohemi me verërat dhe produktet tona atje. Pas këtij panairi, në muajin e ardhshëm do të jemi pjesëmarrës po ashtu në panairin më të madh në Verona të Italisë, është një panair që neve na jep mundësi që të prezantojmë produktet tona, të afirmojmë dhe të tregojmë vlerat tona për sektorin e vreshtarisë dhe venarisë që e kemi ne", tha Avdiu.