Arbëri

Stinë zgjedhjesh para vjeshtës së koronavirusit

Foto: Koha

Viti 2020 mund të jetë i përbërë prej vetëm tri stinësh: dy të koronavirusit dhe një të zgjedhjeve

1.

Sikur sivjet të jenë vetëm dy stinë që do t’i mbajmë në mend?

Është kjo stina e parë e koronavirusit nga e cila do të dalim ndoshta nga fundi i këtij muaji a fillimi i atij të ardhshëm. Pastaj është stina e dytë e koronavirusit, ajo që do të vijë në vjeshtë. Këtë të parën e pamë e për atë të dytën janë rreshtuar mjekë, intepretues shenjash, poetë dhe vizionarë, që të rrëfejnë se mund të jetë më e keqe se e para.

Mes dy stinëve është vera. Një intermexo. Për të dalë jashtë, marrë diell, kryer të korrat, vjelë rrushin, përgatitur turshitë e suxhukun. Dhe për t’u kthyer prapë brenda shtëpisë.

Po të ishte përrallë ky vit do t’i gjasonte një shtëpie, e cila hapet mes dy dimrave të gjatë.

Kështu disi po më duket se e shohin shtetet evropiane. Dinë se kanë dalë, apo janë të dalë prej njërës stinë të borës, që i ka mbajtur të mbyllur në shtëpi dhe duhet të shfrytëzojnë sa më shumë prej verës para se të mbyllen prapa. Derisa të vijë vaksina, e cila do të krijojë mundësi që të jetojmë më ndryshe. Ndoshta jo si përpara, por gjithsesi më mirë se tash.

2.

Tash do vendosur për stinën e tretë.

Mund të ngjajë të jetë hera e parë që në këtë ritëm të ri të merret një vendim përbashkësie që nuk është as dasëm e as syneti, që nuk është as festë korrash e vjelash. Që të gjitha këto mbahen tradicionalisht në verë për shumë arsye që pastaj shndërrohen në traditë - dita e gjatë e moti i mirë, hambarët e qilarët e mbushur - por vendimi që na pret është pak më ndryshe. Bëhet fjalë për vendimin për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë, si rrjedhojë e krizës politike në vend.

Nuk është e zakonshme që zgjedhjet të përcaktohen në bazë të valës së Murtajës. Nuk është se kemi përjetuar Murtajë më herët. Dhe nuk është se, të marrim figurën e dimrit, djemtë e shtëpisë të jenë zënë për fyti në mes të stinës kur të gjithë ishim mbuluar me borë.

Por, megjithatë, nëse do gjetur analogji, atëherë atë duhet kërkuar te organizmat e botës shtazore, përfshirë edhe njeriun. Në botën shtazore dimri e vjeshta shërbejnë për të akumuluar forcë për t’i bërë ballë dimrit.

Trupi ynë shoqëror do mbledhur fuqi për t’i bërë ballë dimrit të ardhshëm, valës së ardhshme të koronavirusit. Tash ky trup është në gjendje pafuqie, pafuqie të sjellë nga mungesa e një legjitimiteti qeverisës.

Stina e tretë, ajo mes dy stinëve të koronavirusit, do të jetë stinë zgjedhjesh.

3.

Në rrethinën tonë, sikur të jetë vazhdë e përrallës, tri shtete do të nisen për në zgjedhje.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia duhej t’i mbanin zgjedhjet pothuajse në të njëjtën kohë, në pranverë, por i pengoi Murtaja. Tash, sapo të jenë kushtet, me gjasë në qershor, që të dyja shtetet do t’i hapin kutitë zgjedhore, për të përmbushur një premtim pranvere.

Mali i Zi, që do të duhej t’i mbante zgjedhjet deri në tetor të këtij viti, mund të vendosë që t’i përmbahet logjikës se është më mirë që këtë punë ta kryejë në verë dhe që trupi politik i shtetit të hyjë i përgatitur për në vjeshtën e koronavirusit.