Jeta Statovci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka akuzuar partitë që kanë qenë opozitë në legjislaturën e shkuar për faktorizim të Listës Serbe.
Ajo ka thënë se mosvotimi i këtyre partive në propozimin për nënkryetar të komunitetit serb ka shkaktuar ngërçin e ri në Kuvend.
“Në kundëralternativën të cilën ne e mbështetëm (Nenad Rashiq), nuk u morën votat e mjaftueshme të votave. Tani si pasojë e qëndrimeve të opozitës, ndodhemi në situatë ku Lista Serbe është faktorizuar deri në atë pikë që sot vlerësohet dhe mendohet se a kemi a jo Kuvend të konstituuar dhe Kushtetuta vendos masë të përkohshme në një afat të radhës karshi hapave që mund të marrin apo jo deputetët. E shoh si dëm të madh nga pamaturia opozitare që për shkak të taktikave të synimeve afatshkurta dhe bllokuese ndaj qeverisë aktuale, i shkakton dëm më të madh që e faktorizon Listën Serbe deri në atë pikë nëse qëndrimi apo prania e saj në Kryesi është aq esenciale sa që të mos ketë Kuvend e institucione”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.
Gjykata Kushtetuesja vendosi të premten masë të përkohshme ndaj konstituimit, pas ankesës së listës Serbe kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, nga radhët e komuniteteve pakicë gjatë seancës konstituive. Asnjë nga 9 deputetët e kësaj partie nuk ka marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar. E votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi. Rashiq pati mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk i mori votat e partive të tjera shqiptare, PDK, LDK e AAK-Nisma. Paraprakisht, kryeparlamentari Dimal Basha ndau procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve. Pavarësisht dështimit për të zgjedhur një nënkryetar serb, Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.
E Statovci ka thënë se Kushtetuesja ka dalë jashtë kompetencave të veta “duke shkruar norma të veta”. Këtu ka përmendur 30-ditëshin e vendosur si periudhë për konstituim dhe që një emër ka të drejtë të propozohet më së shumti tri herë për post të kryeparlamentarit.