Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Stano: Në Kosovë është krijuar situatë shumë e rrezikshme

Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar të hënën se BE-ja dënon sulmin e ndodhur në Banjskë të Zveçanit, teksa ka shtuar se situata duhet të depërshkallëzohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme.

Në një konferencë për media në Bruksel, Stano ka thënë se në Kosovë është krijuar një situatë shumë e rrezikshme.

"BE-ja është shumë e qartë - ne jemi ndërmjetës. Të dyja palët duan të anëtarësohen në BE dhe rruga e tyre është përmes dialogut. Ne nuk duhet të merremi me kriza të rrezikshme siç kemi tani, por duhet t'i ndihmojmë ata. Të gjitha këto janë thënë shumë qartë në njoftimin e anëtarëve të BE-së se si duhet të sillen për të hyrë në BE”, ka thënë Stano, raportoi media serbe “Kosovo Online”.

Ai nuk tregoi nëse BE-ja do të vendosë masa ndëshkuese edhe për Serbinë.

“Masat e vendosura për Kosovën nuk janë sanksione, kemi thënë që në fillim se BE-ja e ka pasur të qartë se masat janë të përkohshme, nëse BE-ja gjen arsye do t'i prezantojë edhe Serbisë”, është shprehur Stano.

I pyetur për një takim të mundshëm të nivelit të lartë në Bruksel, Stano ka thënë se palët do të ftohen kur të jetë e përshtatshme.

Artikuj të ngjashëm