Arbëri

S’shtyhet hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së për dinarin

Foto: Koha

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës do të hyjë në fuqi nesër më 1 shkurt, ashtu siç është thënë nga fillimi. Kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje nuk janë marrë parasysh nga institucionet e Kosovës. Në vend të kësaj ato kanë paralajmëruar një periudhë tranzitore, e cila do të shfrytëzohet për informimin e qytetarëve e bizneseve që përdorin dinarin.

Qytetarët e bizneset në komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe nuk do të ndëshkohen për përdorimin e dinarit.

Megjithëse Rregullorja e re e BQK-së hyn në fuqi të enjten, institucionet e Kosovës do të aplikojnë një periudhë tranzitore, e cila do të shfrytëzohet për informimin e edukimin e qytetarëve për euron.

Në një konferencë për media zv.kryeministri Besnik Bislimi nuk ka treguar se sa e gjatë do të jetë kjo periudhë, derisa ka shtuar se me të do të merren mekanizmat që zbatojnë rregulloret e BQK-së.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe synohet që qytetarët serbë të sigurohen që nuk do të ketë ndalim të mjeteve që marrin nga Serbia

“Një pjesë e saj që mund të ketë impakt te qytetarët të cilët kanë pranuar pagesa ajo pjesë nuk do të përcjellët me penalizime siç do të duhej të vepronte por kjo do të zëvendësohet me informime edukime të masave dhe me biseda të BQK dhe Bankës Qendrore të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfere transparent të mjeteve”, ka thënë Bislimi.

Bislimi theksoi se mostransparenca në transferet që bëhen nga Serbia i konvenon presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaron se në Kosovë çdo vit dërgohen 800 milionë euro.

“Në Kosovë vijnë më pak se 200 milionë euro dhe vendosja e transparencën pastaj do e vënë siklet z. Vuçiq të deklarojë se ku shkojnë 600 milionë tjera dhe çka ndodhë me ato 200.. Ka keqpërdorime të mëdha që bëhen në emër të mbështetjes dhe mendoj se këtu është halli që vendoja e transparencës do nxjerrë në pah këto keqpërdorime, këtë pastrim të parave në nivel të madh i cili pastaj ka mundur të përdoret për armatosje në veri, për lobim politik e korrupsion politik”, ka shtuar ai.

Zv. kryeministri ka ndarë detaje edhe nga takimi që ka pasur me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Ka thënë se parakusht për zbatimin e marrëveshjeve kanë nënshkrimin e tyre.

“Formalizimi duhet të shoqërohet edhe me tërheqjen e letrës që znj. Bërnabiq ka dorëzuar në Bruksel por do të jetë edhe mekanizmi që kjo marrëveshje si e tillë na obligon neve dhe BE-në që të deponohet brenda Kombeve të Bashkuara, pastaj është sekuencimi dhe para fillimit të zbatimit duhet të aktivizohet komitet i përbashkët zbatues ku e kemi z. Lajcak, z. Petkoviq dhe ambasadorin tonë në Bruksel z. Bajrami”, është shprehur ai.

Bislimi ka thënë se në takimin e Lajçakut me Kurtin është përmendur ideja e një takimi të nivelit të lartë, por që konsiderojnë se një i tillë nuk duhet zhvilluar para se Serbia të lëvizë drejt formalizimit të marrëveshjes.