Spitali “Sheik Zaeyd” i Vushtrrisë tani e tutje do t’i trajtojë vetëm pacientët me COVID-19.
Të gjithë banorët e Vushtrrisë dhe rrethinës, për sëmundjet e tjera do të dërgohen në Spitalin e Mitrovicës.
Një ditë pasi Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë morri vendim që këtë spital ta dedikojë vetëm për pacientët me COVID-19, spitali ka nisur përgatitjet dhe riorganizimin e hapësirave, transmeton KOHA.
Spitali pritet të bëhet gati brenda javës.
Ndonëse i dedikuar për pacientë me COVID-19, në këtë spital nuk ka repart të Infektives e as infektologë. Po ashtu, ky spital ka vetëm një pulmolog.
Drejtuesit e tij thonë se ka kohë që po përballen me mungesë të stafit në diagnostikë, radiologji dhe në laboratorë.
Në këtë spital po trajtohen 7 pacientë, që të gjithë me oksigjenoterapi, por gjendja e tyre, sipas mjekëve, është stabile.
Ndërsa 3 mjekë dhe 2 teknikë janë në izolim për shkak se kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19.
E ndonëse ndihmën më të madhe sa i përket stafit ky spital pritet ta marrë nga Spitali i Mitrovicës, ai i Mitrovicës ka vetëm 2 infektologë dhe 4 pulmologë.
Gjendja pothuajse e njëjtë është në shumicën e spitaleve edhe në qytetet e tjera.
Spitali i Ferizajt, i cili ditëve të fundit ka pasur fluks më të rritur të pacientëve me COVID, ka vetëm një infektolog.
Spitali i Pejës dhe ai i Gjakovës i kanë nga dy infektologë.
Ndërsa Spitali i Gjilanit dhe ai i Prizrenit kanë nga 5 infektologë.