Spitalet private në Kosovë janë të gatshme të bashkëpunojnë me ato publike pas paraqitjes së koronavirusit.
Në spitalin privat “Rezonanca” thonë se janë të gatshëm të ofrojnë shërbime për të gjithë ata që kanë nevojë, pa pagësë, raporton KOHA.
I gjithë stafi, objekti e aparaturat e këtij spitali do të jenë në dispozicion nëse është e nevojshme.
Megjithëkëtë, udhëheqës të spitaleve private thonë se ende nuk kanë pranuar ndonjë shkresë për bashkëpunim.
Mirëpo, zyra për media e MSH-së ka thënë për KOHËN se të mërkurën janë takuar me përfaqësuesit e spitaleve private.
Aty shtohet se ndihma do të ofrohet sipas nevojave të MSH-së.
“Sot ka pasur një takim me spitalet private dhe ato kanë shprehur gatishmërinë e plotë që të ndihmojnë me kapacitetet e tyre. Ndihma që do të ofrojnë ka të bëjë me resurse humane e pajisje të infrastrukturës sipas nevojave që kemi”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për Kohën.
Kurse, në Odën e Mjekëve thonë që ndihmesë në këtë aspekt do të jepte edhe angazhimi i mjekëve të papunë.
Në komunat ku u paraqitën rastet e para me koronavirus, një numër i konsiderueshëm i stafit mjekësor janë vetizoluar për shkak të kontakteve me të infektuarit, gjë që ka ndikuar edhe në zvogëlimin e personelit.