Arbëri

Disa raste me koronavirus dolën nga klinikat private, shteti inspektoi më shumë ato publike

Në Ministrinë e Shëndetësisë janë të licencuara 30 spitale private.

Nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19, Inspektorati Shëndetësor ka kryer 28 inspektime.

Ndonëse Inspektorati Shëndetësor ka thënë se disa spitale private janë inspektuar edhe nga tri herë, në bazë të statistikave i bie që jo të gjitha spitalet janë inspektuar nga së paku një herë, raporton KOHA.

Janë të licencuara 1610 ordinanca e klinika private dhe 30 spitale.

Janë 12 inspektorë shëndetësorë. Inspektimi zakonisht bëhet nga dy inspektorë.

Për të inspektuar të gjitha institucionet shëndetësore brenda një viti, çdo ditë duhet të bëhen nga 5 inspektime, duke llogaritur edhe ditët e festave dhe fundjavave.

Pakujdesia dhe moszbatimi i masave të vendosura nga institucionet shtetërore mund të kenë pasoja, sidomos në kohë pandemie.

Publikisht, deri tani, janë tri institucione private shëndetësore nga ku kanë kaluar pacientë të prekur me COVID-19.

Rasti i parë është në një spital privat të përgjithshëm. Një pacient i prekur me COVID-19 fillimisht kishte marrë shërbimin aty.

Në rastin e dytë, në Gjakovë, një shtatzënë e kontrolluar te gjinekologu kishte infektuar stafin e klinikës, e gra të tjera shtatzëna që po vizitoheshin në ordinancën private.

Javën e kaluar, një rast në një spital privat në Prishtinë ka ndërruar për të keq lakoren me të diagnostikuar pozitivë me COVID-19. Një pjesë e madhe e rasteve që për disa ditë kanë dalë pozitivë, siç ka mësuar KOHA, janë nga ky spital.

Faik Hoti, drejtor i komunikimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka folur për rastet kur virusi përhapet nga institucionet shëndetësore.

Hoti ka thënë së infeksionet nga spitali kanë ndodhur në të gjithë botën dhe se në Kosovë nuk është evidentuar numër i madh.

Në pandemi, inspektorët, më shumë se institucionet private, kanë inspektuar ato publike.

Në statistikat që KOHA i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë del që për 2 muaj janë kryer 40 inspektime.