Anëtarë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur edhe deputetë, kanë thënë se vendimi i Gjykatës Supreme nuk do t’ua ndryshojë përcaktimin për ta ushtruar njëkohshëm edhe postin e ministrit në detyrë e edhe atë të deputetit. Megjithëkëtë, së paku dy ministra deklaruan se përgjegjësinë për nënshkrimin e dokumenteve e kanë deleguar te zëvendësit
Ministrat e Qeverisë në detyrë, që janë edhe deputetë, kanë theksuar se do t’i ushtrojnë njëkohshëm të dyja funksionet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme që e zhvlerësoi një udhëzim administrativ, pasi konstatoi se vendimmarrja e këtillë është antikushtetuese.
Vendimi i gjykatës nuk është marrë me përmbajtjen e udhëzimit, por ka kontestuar të drejtën e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që të firmosë vendime, meqë është deputet.
Murati e akuzoi Supremen se me vendim ka mbrojtur interesa biznesore.
“Nuk kemi të bëjmë me vendim që mbron Kushtetutën, por është një vendim që mbron interesat financiare të grupeve biznesore që në të kaluarën kanë qenë të lidhura me Qeverinë dhe tash po i bie që janë të lidhura me opozitën”, ka thënë Murati.
Se do të vazhdojë njëlloj me punën siç ka bërë deri më tani, paralajmëroi edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Shteti nuk mund të mbetet pa një qeveri që është të paktën tranzitore, pra që është në detyrë për t’i kryer obligimet që i ka, që kanë mbetur derisa të zgjidhet Qeveria e re”, ka thënë Haxhiu.
Së paku dy anëtarë të Qeverisë në detyrë kanë thënë se nënshkrime në vendime nuk japin, ndonëse e vazhdojnë punën njëkohshëm edhe si ministra e edhe si deputetë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tregoi arsyen pse në dikasterin që e drejton ai vendimet i ka nënshkruar zëvendësministri.
“Se jam ministër në detyrë”, është përgjigjur Vitia, kur është pyetur derisa po hynte në Kuvend.
Edhe kolegu i tij që e drejton Ministrinë e Bujqësisë, Faton Peci, tha se të drejtën për nënshkrim dokumentesh e ka deleguar te zëvendësministri.
“Do të thotë është çështje e delegimit të përgjegjësive edhe zëvendësministrat duhet me pasë naj rol në një fazë të tillë të një qeverie tranzitore qysh jena na, i nënshkruan zëvendësministri”, ka thënë Peci.
Se si do të veprojnë pas vendimit të Gjykatës Supreme, nuk tregoi ministrja e Industrisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Përgjigje nuk pati as ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e as ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Dy ditë më parë Gjykata Supreme ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri.
Bazuar në këtë gjykim e ka shfuqizuar udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale, meqë ai është nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, i cili është edhe ligjvënës.
“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.3.2025, ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendimin e Supremes.
Gjykata nuk ka vlerësuar pretendimet dhe argumentet e tjera me të cilat është kontestuar përmbajtja e udhëzimit administrativ dhe është kufizuar vetëm te mungesa e autorizimit ligjor dhe mungesa e kompetencës funksionale për nxjerrjen dhe publikimin e aktit nënligjor normativ që, sipas gjykatës, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese.
Udhëzimi është nënshkruar nga ministri në detyrë Murati, më 15 prill, rreth 20 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor me të cilin nis mandati i deputetit.
Pas aktgjykimit të Supremes, Qeveria ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.
Aktualisht 17 anëtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin Albin Kurtin, kanë siguruar mandate në legjislaturën e nëntë. Për shkak të betimit si deputetë, ata njoftuan për dorëheqje nga postet në Ekzekutiv, në ditën kur është hapur seanca konstituive e Kuvendit.