Dhomat e Specializuara të Hagës i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë ta informojë për statusin financiar lidhur me procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës. Në njoftimin e së martës, Gjykata Speciale ka lëshuar urdhër që Zyra Administrative të kontaktojë urgjentisht Ministrinë e Drejtësisë për aspektin e financimit të ekipeve mbrojtëse.
“Pasi dëgjoi palët dhe theksoi urgjencën e aspektit të financimit të ekipeve Mbrojtëse, gjykatësi Giju urdhëroi Zyrën Administrative të DHSK-së të kontaktojë urgjentisht Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, të kërkojë informacion në lidhje me statusin e financimit, mendim për kohën e vendimit të Ministrisë dhe të raportojë deri më 20 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.
Pala mbrojtëse ndaj tre të akuzuarve kishte kërkuar pezullim të procesit, por gjykatësi Nikola Giju e hodhi poshtë.
“Gjithashtu, gjykatësi Giju hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për pezullim të procesit me konstatimin se vazhdimi i procesit nuk i shkakton dëm Mbrojtjes, duke marrë parasysh se procesi është ende në fazën paraprake dhe aspekti i financimit tashmë është duke u trajtuar për të gjetur zgjidhjen”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.
Konferenca e ardhshme mbi ecurinë e kësaj çështjeje gjyqësore do të caktohet në mars.
Edhe
Shtyhet seanca për gjyqin ndaj Shalës, Bahtijarit dhe Januzit
Më 13 dhjetor, ZPS-ja pati paraqitur kërkesë për bashkimin e çështjeve gjyqësore në një gjykim të vetëm. Gjyqtari i procedurës paraprake pati urdhëruar Prokurorinë që ta dorëzonte aktakuzën deri më 12 janar.
Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.