Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati ka njoftuar se ka pranuar ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, për kohën sa ka qenë drejtues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka thënë se ky intervistim do të bëhet në javën e parë të muajit nëntor të vitit 2019.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e Shenjët dhe do mbetet e tillë. Edhe në ketë rast do të dalim faqebardhë. Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar ai, përcjell ksp.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati është oficer i karrierës dhe ka punuar në detyra të ndryshme. Në vitet 1998 – 1999, gjatë luftës, ka qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit.
Në vitin 1999, emërohet shef i departamentit të Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Këtë detyrë e kryen deri në vitin 2002, kur edhe emërohet Komandant i Zonës së IV-të në Mitrovicë.
Nga 2004 e deri më 2006, ai kryen detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në TMK. Në dy vitet në vazhdim, më saktësisht 2006 – 2008, ka kryer detyrën e këshilltarit special të koordinatorit të TMK-së.
Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në vitin 2009, emërohet drejtor i drejtorisë së Operacioneve (DO) në FSK. Ndërsa, më 22 nëntor 2011, me vendim të Presidentes së Republikës së Kosovës, ishte emëruar komandant i FSK-së.