Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se deklarata e së martës e presidentit francez, Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave, nuk është kërcënim por paralajmërim për Kosovën.
Sipas tij, ky paralajmërim është bërë në veçanti për Qeverinë e Kosovës.
“Mendoj se të gjitha këto elemente së bashku u bënë pas një deklarate, e cila krijoi paqartësi dhe u diskutua gjatë tërë ditës, duke filluar nga gjuha e përdorur e presidentit francez deri te sqarimi nga kabineti i tij në pasditen e sotme. Sidoqoftë duhet kuptuar që kjo është një vërejtje, nuk do ta quaja kërcënim. Është një paralajmërim që i bëhet Kosovës, sidomos Qeverisë së saj”, tha Spahiu në televizionin publik.
Ai ka shtuar se në deklaratën e Macronit, problemi nuk ishte vetëm te përkthimi.
“Përkthimi ishte në atë aspektin se nuk u tha nga Macron që Franca definitivisht është kundër liberalizimit të vizave, por ajo mund të vihet në pikëpyetje në qoftë se nuk e mban fjalën qeveria kosovare. Tani se për çfarë e kishte fjalën ai është një çështje që duhet diskutuar. Çfarë i është premtuar dhe çfarë nuk është bërë. Është një paralajmërim se tani Bashkimi Evropian do të jetë më aktiv, shumë i ashpër në vazhdimin e dialogut dhe kërkesat sidomos për formimin e Asociacionit do të jenë më të drejtpërdrejta dhe më të vendosura”, është shprehur ai.
-
Ambasadori francez për liberalizimin e vizave: Rrezik nëse s’dëgjohet mesazhi i Macronit
-
Franca kërcënon me pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën
-
Deklarata e Macronit për vizat vlerësohet si presion e jo kërcënim
-
Macroni kërcënon me vizat: Fjala s’po mbahet
-
Macroni uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Normalizimi i raporteve me Serbinë, çështje e sigurisë evropiane