Tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit nuk prodhoi asgjë të re. Të shtunën, deputetët u mblodhën dhe u shpërndan pa ndonjë rezultat. Seanca e radhës do të mbahet të hënën nga ora 11:00.
Kadrijaj: Nëse Kuvendi s’konstituohet deri më 26 korrik, Kurtit duhet t’i mohohet e drejta e kandidimit
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nëse deri më 26 korrik nuk konstituohet Kuvendi, atëherë Gjykata duhet të shqyrtojë mohimin e së drejtës për të kandiduar ndaj Albin Kurtit.
Ajo ironizoi duke thënë se kthimi i Kurtit nga Greqia – shteti që sipas saj ka qenë i vetmi me të cilin Kurti ka pasur marrëdhënie të mira gjatë qeverisjes – nuk sjell asnjë zgjidhje konkrete për krizën aktuale institucionale.
“Është lajm i gëzuar për të gjithë ne që deputeti Albin Kurti u kthye nga Greqia, sepse ka qenë vendi i vetëm ku për këto vjet qeverisje ka pasur raporte të mira”, ka thënë Kadrijaj në një deklarim në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të për konstituim.
Deputetja e AAK-së tutje e akuzoi Kurtin për uzurpim të insticuioneve.
“Albin Kurti po mburret e po thotë ‘qeverisje 2+’, por nuk është 2+, i ke uzurpuar institucionet”, deklaroi ajo.
Abazi: VV-ja ende s’e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arjeta Abazi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për bllokimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit, duke thënë se kjo parti po e trajton pushtetin si pronë personale dhe po e dëmton funksionimin e institucioneve.
Në një deklarim në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të për konstituim, Abazi ka thënë se institucioni më i lartë ligjvënës në vend është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku skena politike dominohet nga interesat partiake dhe jo nga nevoja për zgjidhje.
“Seanca pas seance dhe ende s’po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në teatër të stërzgjatur, ku aktorët kryesorë janë më shumë të interesuar për skenën sesa për skenarin”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se situata aktuale nuk është pasojë e ndonjë emergjence reale, por rrjedhojë e një sjelljeje të papërgjegjshme nga ana e VV-së, e cila sipas saj, nuk po kupton se pushteti duhet të jetë në funksion të qytetarëve, jo i një grupi të caktuar.
“Një parti për 20 vjet që luftoi për të ardhur në pushtet, e sot, në vend se ta përdorë për të ndërtuar, po e shkatërron për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës”, u shpreh Abazi.
Deputetja e LDK-së përmbylli fjalën e saj duke theksuar nevojën për institucione funksionale dhe një qeveri që jep llogari, duke nënvizuar se qytetarët meritojnë më shumë se krizë të përhershme politike.
Behrami: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e krijuan Republikën – VV-ja po mban peng shtetin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, e akuzoi Vetëvendosjen për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe tentim për përmbysje të rendit kushtetues, gjatë fjalimit në foltoren e Kuvendit pas dështimit të 49-të të konstiuimit.
Në një deklarim nga foltorja e Kuvendit, mikrofonin e së cilës e lëshoi nënkryetarja nga radhët e PDK-së, Sala Jashari, Behrami u shpreh se partitë që kanë mbetur në sallë – PDK, LDK dhe AAK – janë parti që e krijuan Republikën e Kosovës, ndërsa sipas tij, ata që braktisën sallën “nuk kanë besuar kurrë në projektin e shtetit të Kosovës”.
“Kuvendi i Kosovës në këto 49 seanca është ndarë në këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën. Në partinë që sapo dolën, parti që e keqpërdorin të drejtën për propozimin e kryeparlamentarit, që mbajnë peng shtetin…”, u shpreh Behrami.
Ai akuzoi Vetëvendosjen për shkelje të ligjit dhe të normave kushtetuese, duke theksuar se qëllimi i tyre është përmbysja e rendit kushtetues, ndërsa opozita është duke e mbrojtur atë.
“Nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga populistë, demagogë dhe autokratë”, shtoi ai.
Behrami kujtoi rrugëtimin historik të partive që përfaqësojnë opozitën aktuale, duke i cilësuar si gjeneratë e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare dhe e shtetndërtimit.
“Janë partitë që e krijuan Republikën. Ishim bashkë në vitet ’90, në frontet e UÇK-së, dhe punuam së bashku për të realizuar ëndrrën shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran – ku Hashim Thaçi në vitin 2008 shpalli pavarësinë pikërisht në këtë foltore,” përfundoi Behrami.
Ngërçi parlamentar nuk zgjidhet as në tentativën e 49-të
Tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit nuk prodhoi asgjë të re. Të shtunën, deputetët u mblodhën dhe u shpërndan pa ndonjë rezultat.
Vetëm 50 deputetët votuan për formimin e komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në sallë ishin 90 deputetë.
Gjatë kohës kur kryesuesi i dha fjalën deputetit të PDK-së, Artan Behrami, për të propozuar një anëtar për komision, ai shfrytëzoi mikrofonin për t’i kërkuar Avni Deharit t’i kthehet rendit të ditës dhe mos ta shkelë Kushtetutën. Njëjtë veproi edhe deputetja e LDK-së, Arjeta Abazi.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ironizoi duke i uruar kthim në vendlindjen kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i cili ishte në Greqi për një simpozium.
Seanca e radhës do të mbahet të hënën nga ora 11:00.
Izmaku pret “sinjal pozitiv” nga takimi i sotëm Limaj – Kurti
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret sinjal pozitiv nga takimi që pritet të mbahet sot mes Fatmir Limajt dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurti.
“Pres sinjal pozitiv nga ky takim. Pres guxim dhe vullnet politik nga Kurti, duke parë që jemi në fund të afatit kushtetues. Limaj e ka zgjat dorën e bashkëpunimit, presim edhe nga Kurti të njëjtën që të largohemi nga ky ngërç dhe t’i japim Kosovës institucionet”, ka thënë ajo.
Izmaku konfirmoi se Limaj po do të bëhet kryeparlamentar.
“Mundësia më e mirë është që Fatmir Limaj të jetë kryeparlamentar. Do t’i merrte votat. Koha po ecën, duhet zgjidhje. S’ka alternativë tjetër”, ka shtuar deputetja.
Haradinaj për Kurtin: Mashtruesi e ka ndarë mendjen për t’i bërë keq e më keq Kosovës
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, të cilin e quan “mashtrues”, e ka ndarë mendjen për t’i bërë keq e më keq Kosovës.
Moskonstituimin e Kuvendit, Haradinaj thotë se Kurti po e bën me qëllim.
“Këtë pyetje dueht t’ia bëni Kurtit, apo ndryshe nga mashtruesit. Ai e ka në dorë zgjidhjen. Po vërehet se ai e ka ndarë mendjen për ta bërë keq e më keq Kosovën. Ju e dini si është gjendja me energjinë elektrike, sa do të jetë çmimi në dimër dhe lulëzimin me tregtinë e energjisë. Krejt këto (çka po ndodhin në Kuvend) janë me fsheh hajninë, me fsheh ndjekjen nga gjyqësori”, ka thënë ai.
Brahimaj: VV-ja ka marrëveshje me Listën Serbe dhe Nismën
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka thënë se LVV-ja ka marrëveshje në parim me Listën Serbe dhe Nismën.
“Ata (VV) kanë në parim marrëveshje edhe me Listën Serbe, edhe me Limajn. Siç e shihni pas çdo seance të përfunduar, VV-ja, Nisma e Lista Serbe e lëshojnë sallën, ndërsa ish-opozita qëndron”, ka thënë Brahimaj.
Ai u shpreh se nuk ka vota për Fatmir Limajn si kryeparlamentar, kur u pyet për takimin që do ta ketë sot kryetari i Nismës me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
“Nuk kam vota për Limajn. Nuk do të ishte fer sepse ne kishim marrëveshje para zgjedhjeve me të. Limaj i ndërroi fjalët dhe tash ka marrëveshje në parim me Kurtin. Ne i kemi dhënë propozimet tona”, u shpreh Brahimaj.
Hasani: Kryetarët e partive po kalkulojnë në interesa të ngushta, jo në interes të shtetit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka thënë se kryetarët e partive parlamentare, pa përjashtim, më shumë po kalkulojnë për interesa të ngushta sesa për interes të shtetit.
Hasani i bëri këto deklarime para përpjekjes së 49-të për konstituimin e Kuvendit.
“Secili kryetar, pa përjashtim, po kalkulon në interesa të ngushta dhe asnjë në interes të shtetit. Shteti i Kosovës ka nevojë për qeverisje, sidomos ka interes për Gjykatën Speciale pas rrëzimit të mocionit atje dhe t’i dalim në mbështetje të tyre”, ka thënë ai.
Deputeti u pyet edhe për një takim që sot do ta zhvillojë kryetari i LVV-së, Albin Kurti me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.
“Takimi i sotshëm tregon për presionin që e kanë brenda vetes, edhe Limaj edhe Kurti. Afati po përfundon, prandaj presioni për të gjetur zgjidhje është i madh”, shtoi Hasani.