Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sot përkujtohet Shote Galica

Heroina e popullit Shote Galica sot do të përkujtohet në një akademi, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Akademia do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare, duke filluar nga ora 11:00.

Shote Galica lindi në vitin 1895 në Drenicë. Ajo ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare.

Më 1919 mori pjesë në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.

Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës. Në korrik 1924, pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.

Edhe Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në fshatra të Drenicës: Dëshmi e krimeve serbe Arbëri 2 muaj më parë Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në fshatra të Drenicës: Dëshmi e krimeve serbe

Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924, luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e serbëve 22 anëtarë të familjes.

Më 3 korrik 1927, Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë e braktisur nga qeveria e Zogut.