Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“SOT” mbush 6 vjet – të hënën me edicion special

Emisioni i mëngjesit në Kohavision “SOT” mbush gjashtë vjet. Stafi i këtij emisioni tashmë ka përgatitur një edicion special për ta festuar këtë ditëlindje. Të hënën shikuesit do ta shohin një “SOT” më të veçantë.

Programi i mëngjesit i KTV-së nga formati ka përmbajtje për gjithë audiencën. Stafi i mëngjesit, me të cilët fillon dita para ekranit, sjell disponim të duhur për të nisur një ditë të mbarë. Secila ditë në rubrika të caktuara sjell personazhe interesante, këshilla për të gjitha sferat e jetës e kronika të tjera, për të dhënë më shumë informacione për ngjarjet e veçoritë e vendit.

“Qëkur ka filluar ky emision, gjashtë herë në javë ka sjellë kronika e materiale të shumta. Ka trajtuar tema të shumta, qoftë politike, sociale, shëndetësore etj. Duke pasur si fokus të vetëm interesin e publikut”, ka thënë Lekë Rezniqi, producent i programit të mëngjesit në Kohavision.

Rubrika ikonike “Hajt pak” vazhdon të mbetet hapësira më e preferuar e shikuesve për t’i shprehur mendimet e tyre lirshëm, për çfarëdo shqetësimi që mund të kenë, sikurse edhe për aktualitetin politik e shoqëror të vendit.

“Me konceptin që secila ditë të ketë përmbajtje të veçantë, me rubrikat specifike, stafi i ‘SOT’-it ka sjellë vendet e rrëfimet anembanë Kosovës, me synimin e vetëm: për të treguar vlerat e vendit tonë. Duke qenë emisioni i parë ditor, pavarësisht vështirësive nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, ne çdo ditë mundohemi të jemi sa më afër publikut me brengat e shqetësimet, por edhe me të veçantat, kuriozitetet e atraksionet e Kosovës”, ka thënë Rezniqi.

Duke mbushur gjashtë vjet, “SOT” do të vazhdojë të sjellë risi në përmbajtjen e vet, ka paralajmëruar ai. “Çdo edicion është i veçantë, si në përmbajtje ashtu edhe tek të ftuarit e temat që diskutohen në studio. Është i vetmi emision në të cilin edhe publiku mund të bëhet pjesë e diskutimeve përmes telefonatave, e gjithashtu çdo të shtunë ofron mundësinë e këshillimit direkt me mjekun e pranishëm në studio”, ka thënë Rezniqi.

Pashmangshëm, çdo mëngjes janë edhe titujt kryesorë të gazetave të përditshme kosovare, sikurse të rejat nga shoubizi, kuriozitetet etj. Po ashtu, në mëngjes vijnë informacionet nga pika të ndryshme të kryeqytetit për t’u informuar më tepër për ngjarjet dhe aktivitetet që do ta shënojnë ditën që sapo ka nisur.

Artikuj të ngjashëm