Edhe të hënën ka dështuar që të përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill. Në vazhdimin e 29-të të seancës u bë e 21-ta herë radhazi që deputetët nuk patën kuorum për ta formuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit. Në sallë kanë qenë 102 deputetë, prej tyre për kanë votuar 53, asnjë votë s’ka qenë kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar. Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën në orën 11:00.

Gërvalla: Opozita s’i preferon zgjedhje të reja e as nuk e sfidon Kurtin

42 min. më parë / 9 qer 2025 11:58
Donika Gervalla

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka thënë se tentativa e sotme për konstituuim të Kuvendit ishte përsëritje e pakuptimit e një bllokade që ka humbur kuptimin.

Ajo u ka bërë thirrje partive opozitare që ishin mandatin e kaluar që të heqin dorë nga kjo “strategji destruktive” dhe të marrin përgjegjësi për votën e qytetarit që kanë marrë.

“Shkelja çdo 48 orë që e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është në rregull. Në këto ditë kur fjala unitet është e përsëritur, më lejoni t’iu them se ne kemi nevojë për unitet për shtet dhe jo për unitet për pushtet. Uniteti për shtet demonstrohet duhet konstituuar Kuvendin. Jam e bindur që vota e fshehtë është instrumenti më demokratik në shoqëritë demokratike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, opozita nuk preferon as zgjedhjet e reja e as nuk e sfidojnë Kurtin për bërjen e Qeverisë.

Gërvalla ka thënë se LDK-ja bën qeveri vetëm me PDK-në.

Ka shtuar se opozita nuk po e pranon rezultatin zgjedhor dhe këtë sipas saj po e dëshmojnë me bllokadat në Kuvend.

“Nëse LDK-ja dëshiron të formojë Qeveri duhet t’i fitojë zgjedhjet, nuk ka recetë tjetër. 42 për qind e qytetarëve kanë votuat LVV-në si fituese të këtyre zgjedhjeve dhe ky është një fakt që s’mund të ndryshohet. Ne mendojmë që shumicën qeveritare besojmë që e kemi”, ka thënë ajo.

Mustafa: Kushtetuesja e ka të pamundur të gjejë zgjidhje politike, këtë ta bëjë LVV-ja

46 min. më parë / 9 qer 2025 11:54
Besian Mustafa

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se propozimi i partisë së tij për qeveri të unitetit është ajo që do të mundësonte daljen nga kriza politike e krijuar në Kuvend.  

Ai ka thënë se në këtë situatë i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të gjejë zgjidhje politike, pasi sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk ofron zgjidhje për ngërçet politike

“Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur që të gjejë zgjidhje për ngërçet politike ... kriza aktuale është krizë politike jo ligjore, nuk kemi mangësi ligjore të interpretimeve ose botëkuptimeve juridike, por kemi bllokim politik. Kushtetuta e Kosovës nuk njeh formë mekanizëm për të obliguar deputetët për të vepruar apo mosvepruar. Si parti do e respektonin vendimin e Kushtetueses, por si deputetë do të kishte mandatin e plotë për të votuar sipas bindjeve”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se gjatë javës do të publikojnë edhe një agjendë prej 15 pikash për punët e kësaj qeverie. 

“Këto 15 pika do të ishin 15 temat kyçe me të cilat do të merrej kjo qeveri e unitetit”, ka theksuar Mustafa pas dështimit të 29-të për konstituim të Kuvendit.

Ai ka thënë se  Kosovës tani i duhet kjo qeveri dhe jo ripërtëritja e zgjedhjeve parlamentare.

“Refuzimi i idesë së një qeverie të unitetit pa ofruar një zgjidhje tjetër, fatkeqësisht është insistim në vazhdimin e kësaj bllokade 48-orëshe dhe vazhdimi i saj do ta qonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme ose ripërtëritje të zgjedhjeve parlamentare, e kjo është gjëja e fundit që i duhet Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Krasniqi: Ka kaluar çdo kufi i racionalitetit, kjo s’është më politikë

1 o. më parë / 9 qer 2025 11:39
Memli Krasniqi

Photo: Associated Press

Deputeti, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të 29-të për ta konstituuar Kuvendin, ka thënë se ka kaluar çdo kufi i racionalitetit. 

Në adresimin e tij për media, Krasniqi ka thënë se kjo që po ndodh nuk është më politikë, por tendencë për ta mbajtur në bllokadë vullnetin e qytetarëve.

“Fiks para katër muajsh qytetarët dolën në zgjedhje të lira demokratike për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë verdikti e duan vendin dhe kush duhet t’i qeverisë. Verdikti ishte i qartë, i thanë jo sundimit njëpartiak të katër vjetëve të kaluara. Katër muaj në vonë, sot, është pikërisht ajo partia e mentalitetit monist, LVV-ja ajo që nuk e lejon të konstituohet Kuvendi e më pas edhe themelimi i Qeverisë së re. Tashmë ka kaluar çdo kufi i racionalitetit, kjo më nuk është politikë, kjo është tendencë për të mbajtur në bllokadë dhe për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ne si PDK besojmë se vendi i duhet sa më parë jo vetëm Kuvendi por edhe qeveria e re”, ka thënë ai. 

Derisa u pyet për propozimin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse, Krasniqi ka thënë se tashmë s’ka çfarë të diskutohet për atë çështje. 

“Qeveritë e tilla nënkuptojnë së duhet qenë krejt bashkë dhe LVV-ja e ka refuzuar qysh në start, pra nuk kemi çfarë të diskutojmë për këtë çështje... E vërteta është që potencialisht shumica parlamentare ekziston në anën e ish opozitës”, ka thënë ai.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit

1 o. më parë / 9 qer 2025 11:27
kuvendi i Kosove - 9 qershor

Photo: Driton Paçarada

Edhe të hënën ka dështuar që të përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill.

Në vazhdimin e 29-të të seancës u bë e 21-ta herë radhazi që deputetët nuk patën kuorum për ta formuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit. 

Në sallë kanë qenë 102 deputetë, prej tyre për kanë votuar 53, asnjë votë s’ka qenë kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar. 

Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën në orën 11:00.

Haradinaj: Të gatshëm për qeveri të opozitës, por s’kemi kushte

1 o. më parë / 9 qer 2025 11:17
Daut Haradinaj

Daut Haradinaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se partia të cilës i takon nuk ka ndryshuar qëndrim, është e gatshme të votojë për tre emra për kryeparlamentar.

Haradinaj para fillimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se po pret që partia që ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare, të reflektojë.

Ai ka shtuar se AAK-ja është e gatshme për qeveri të opozitës, por pa ndonjë propozim konkret.  

“Po pres që do të reflektojnë. Kryeministri ka thënë se i kanë votat për Qeveri, jo për Kuvend, unë nuk e kuptoj se çfarë pozicioni po mban. Ne jemi të gatshëm ta japim votën për tre emra konkretë. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar, të bëjmë zgjidhje, kemi thënë që jemi të gatshëm për qeverinë e opozitës, nuk e kemi ndonjë emër apo preferencë, kemi thënë se nuk kemi kushte”, ka thënë ai.

Zemaj thotë se vetëm konsensusi mes partive e zgjidh ngërçin politik, i ndërhyn avokati Koci

1 o. më parë / 9 qer 2025 11:01
Zemaj-Koci

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se është Lëvizja Vetëvendosje ajo që po refuzon të ndodhë konstituimi i Kuvendit, partitë e tjera kanë qëndrim të rezervuar.

Para seancës së sotme të Kuvendit, Zemaj ka shtuar se vetëm konsensusi mes partive mund ta zgjidhë ngërçin politik. 

“Vetëm konsensusi mes subjekteve politike parlamentare e zgjedh këtë ngërç politik. Kemi qenë të qartë me propozimin tonë që nuk ka qenë sa për të blerë kohë, siç mundohet Lëvizja Vetëvendosje ta pasqyrojë por t’u japim mundësi qytetarëve që të kenë një mënyrë unifikuese për një kohë të caktuar. Refuzim kemi vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, tjerat parti kanë qenë të rezervuara... këtu nuk jemi për t’u sfiduar për pozita personale, ata janë. Kur të quhet qeveri ë unitetit nuk ka propozime personale... Njëherë duhet ta gjesh përkrahjen e tek atëherë të diskutohet për emrat e përvetshëm e për tema të përvetshme siç bën LDK-ja”, ka thënë ai. 

Gjatë adresimit në media, avokati Arianit Koci, si qytetar i vendit, ka ndërhyrë duke kërkuar që të gjendet zgjidhje sa më shpejt.

Zemaj ka kërkuar nga ai që mos ta pengojë. 

“Mos më pengo, a po të pengoj unë në punë tua? Nuk kam unë edukatë për të penguar. Nuk je ti ai që më tregon mua a të flasë a po jo, hera e parë dhe e fundit që më pengon. Me tjerët bëj ç’të duash, mua nuk më pengon”, ka thënë ai. 

Ndërsa Koci, tutje ka vazhduar duke thënë se pas seancës së 30-të, kërkohet përfshirja direkte e Presidentes.

“Ish-polici i Njësisë Speciale është i arrestuar, kush prej shtetit të Kosovës nuk interesohet. Pas herës së 30-të unë kërkoj që direkt të përfshihet presidentja përndryshe edhe atë e bëj përgjegjëse”, ka thënë ai.