Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

•E hënë, 16 shkurt: Krasniqi përmbyll fjalën përfundimtare dhe anëtarët e trupit gjykues mund të parashtrojnë pyetje •E mërkurë, 18 shkurt: ZPS-ja u përgjigjet ekipeve mbrojtëse dhe anasjelltas si dhe deklarohen edhe të pandehurit

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. 

VIDEO:

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prokurori: Shtabi i Përgjithshëm përcolli qëllimin e përbashkët kriminal

1 muaj më parë / 16 shk 2026 17:30
matt

Prokurori Metthew Halling tha se i hedh poshtë argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit se Prokuroria nuk ka prova të ndonjë urdhri apo komunikimi të drejtpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që ta përcillte qëllimin e përbashkët kriminal të pretenduar.

Ai shtoi se provat përmbajnë një diskutim lidhur me “ekzekutimin masiv të të ndaluarve”.

“Vrasësit që i gjuajtën thanë, citoj: ‘Kemi urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm t’i largojmë të burgosurit’. Pas kësaj, ata i çuan në vendin e ekzekutimit”, tha Halling.

“Ky është Shtabi i Përgjithshëm ku ishin pjesë të gjithë të akuzuarit asokohe. Ky ishte urdhër i drejtpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm që përcillte qëllimin kriminal për të cilin akuzohen. Kjo provë nuk mund të eliminohet”, shtoi ai.

Halling tha se kritika e mbrojtjes së Prokuroria po mbështetet në prova vetëm inkriminuese dhe jo shfajësuese, nuk qëndron.

“Në dosjen tonë gjeni shpjegime të hollësishme pse dëshmitarët janë të besueshëm. Provat shfajësuese nuk u rrëzuan asnjëherë pse ishin të tilla, prandaj disa pretendime që ishin bërë më herët, u modifikuan ose nuk i kemi marrë më për bazë”.

 

ZPS: Mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre me qëllime të mira, përpjekje për të shmangur rolet e tyre të vërteta

1 muaj më parë / 16 shk 2026 16:49
Alan Tieger

Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga prokurori Alan Tieger, tha të hënën në Hagë se mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si më qëllime të mira dhe me motive që nuk ishin ndryshe prej mijëra njerëzve që iu bashkuan UÇK-së.

“Në një formë apo tjetër, mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si me qëllime të mira, që nuk kishin pushtet, me motivime që nuk ishin të ndryshme nga mijëra e mijëra njerëz që iu bashkuan UÇK-së”, ka deklaruar Tieger.

Prokurori tha se kjo është një përpjekje për të shmangur rolet e tyre të vërteta që kanë pasur.

“Është përpjekje për t’iu shmangur roleve të tyre të vërteta, si pionier, si themelues, si anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm, role që ata i kanë pranuar në mënyrë të përsëritur, apo role që pasqyrohen në shumë takime ku kanë diskutuar historinë e UÇK-së”, tha Tieger.

Prokurori tha se të akuzuarit nuk i pranojnë këto veprime sepse ato pasqyrojnë qëllimin kriminal të përbashkët.

“Ata iu shmangen këtyre roleve, nuk i pranojnë ato sepse veprimet e tyre në këto role duke përdorur autoritetin e tyre të kombinuar si dhe përpjekjet individuale pasqyrojnë qëllimin kriminal të përbashkët dhe angazhimin e tyre ndaj tij. Ata që besojnë në kauzën e tyre dhe aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për ta arritur ata, ata kanë pretenduar që kanë të drejtë të merreshin në mënyrë të pamëshirshme me ata që konsideroheshin që pengonin arritjen e kësaj”, tha prokurori.

Ndryshe, parashtrimet e prokurorit erdhën pas pyetjeve të trupit gjykues të cilat i përfunduan para pushimit të drekës. /BetimipërDrejtësi

Mishetiqi thotë se prokuroria s’ka gjetur lidhje shkakore mes komunikatave dhe krimeve të pretenduara

1 muaj më parë / 16 shk 2026 14:43
Luka Mishetiq

Luka Mishetiq

Mbrojtësi i ish-presidentit Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq, ka argumentuar se prokuroria nuk ka gjetur lidhje shkakore mes komunikatave dhe krimeve të pretenduara në aktakuzë. Fillimisht sqarime atij i kërkoi gjyqtari Christophe Barthe, i cili e pyeti se a argumentojnë se duhet të bëhet ndërlidhje mes secilit kryes me komunikatat. 

“Në këtë rast po kërkoni lidhje mes një deklarate publike dhe vendimi të një kryesi për të kryer krimin, kjo është e vështirë në mos e pamundur nga pikëpamja ime në kuadrin e krimeve ndërkombëtare sepse ka pjesëmarrës të ndryshëm të niveleve të ndryshme – pra duhet identifikuar çdo kryerës fillimisht e më pas të vlerësohet nëse ky kryerës është ndikuar nga deklarata publike, këtë po thoni”, pyeti gjyqtari Barthe. 

E avokati i Thaçit, Mishetiq, tha se një ndërlidhje e tillë nuk është e nevojshme për secilin kryerës, por se prokuroria nuk ka vërtetuar se komunikatat krijuan atmosferë që përbën kontribut të konsiderueshëm në kryerje të krimeve. 

“Nuk po flas për secilin kryes, por duhet të ketë prova të mjaftueshme që të dalim në përfundimin se ka pasur kontibut të konsiderueshëm, prandaj kemi cituar Sheshelin... Duhet gjetur një lidhje, çfarëdo lloj lidhjeje për të dalë në përfundimin se atmosfera u shkaktua për shkak të një komunikate dhe që shkurtimisht pas një komunikate disa kryerës e kanë lexuar komunikatën në shtypin e mëngjesit dhe se për shkak të komunikatës ata e kanë kryer atë që kanë kryer dhe të dilet në përfundimin që 1, 2, 3, 4 ditë më pas, krimet janë kryer për shkak të tekstit të komunikatës. Nuk e kemi këtë provë. Asnjë provë të këtij lloji”, tha Mishetiq.

Mbrojtja e Krasniqit përmbyll fjalën përfundimtare, nisin pyetjet e gjyqtarëve

1 muaj më parë / 16 shk 2026 13:09 Nga: Ardit Kika
Gjykata Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Procesi është duke vazhduar me pyetjet e anëtareve të trupit gjykues. 

Paraditen së hënës fjalën p[përfundimtare e ka dhënë ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit. 

Në paraqitjen e fjalës përfundimtare, avokati Aidan Ellis ka thënë se prania e të ish-kryetari të Kuvendit në vende ku pati të ndaluar nuk e dëshmon se ai ka qenë në dijeni për krimet e pretenduara në aktakuzë.

Ellis: S’ka prova se Krasniqi ishte i pranishëm në arrestimin e Blerim Kuçit

1 muaj më parë / 16 shk 2026 13:01 Nga: Ardit Kika
Jakup Krasniqi

Avokati Aidan në fjalën përfundimtare ka thënë se nuk ka prova që i mbrojturi i tij, Jakup Krasniqi, ishte i pranishëm në arrestimin e Blerim Kuçit. 

“Prokuroria as që e ka vërtetuar që Kuçi është arrestuar në praninë e Krasniqit. Sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ja vlen të shkruhet një libër i tërë. Prokuroria nuk e ka thirrur asnjë person që ishte i pranishëm në momentin e arrestimit. Si Zyrapi edhe persona të tjerë kanë thënë se që ata e lënë në një dhomë me Krasniqin dhe persona të tjerë dhe u largua ndërkohë që Zyrapi konfirmon në transkriptë që ai nuk e di se çfarë ka ndodhur pasi është larguar nga dhoma. Kjo më vete, nuk mund ta vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se Krasniqi ka qenë i pranishëm në momentin e arrestimit – aq më pak që ai e ka urdhëruar arrestimin”, ka deklaruar Ellis.

VIDEO:

Sipas tij fakti që Zyra e Prokurorit të Specializuar s’e ka thirrur për sqarime Kuçin lë hapësirë për spekulime të Prpokurorisë. 

“Prokuroria mund të kishte marrë sqarime plotësuese duke e thirrur qoftë Blerim Kuçin apo Limajn që të vinin dhe t’i jepnin dëshminë e tyre për të hedhur më shumë dritë mbi atë moment arrestimi, por prokuroria vendosi të mos e bënte këtë gjë. Mungesa e tyre lë një hendek, një mangësi dhe hapësirë për spekulim të ZPS-së”, është shprehur Ellis.

“Kur trajtojnë Tahir Zemajn tregojnë se pse dezertimit është kaq shqetësues për UÇK-në. Arsyeja ishte që popullata civile. Gratë, fëmijët, të vjetrit, ishin pa mbrojtje nga forcat serbe. Të nderuar gjyqtarë, ju e dini shumë mirë se çfarë shkatërrimesh dhe çfarë vuajtjesh janë shkaktuar në Zonën e Suharekës nga ofensivat serbe në shtator të 98-ës – përfshirë këtu shtëpitë e djegura etj. Të paktën dokumentet dhe dëshmitë lënë një shpjegim të arsyeshëm alternativ – që z. Kuçi është ndaluar për dezertim”, ka shtuar Ellis.

Mbrojtja: Prania aty ku pati ndalim personash s’dëshmon se Krasniqi ishte në dijeni për ndalim e keqtrajtim

1 muaj më parë / 16 shk 2026 11:32 Nga: Ardit Kika
Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Në paraqitjen e fjalës përfundimtare për Jakup Krasniqin, avokati Aidan Ellis ka thënë se prania e të ish-kryetari të Kuvendit në vende ku pati të ndaluar nuk e dëshmon se ai ka qenë në dijeni për krimet e pretenduara në aktakuzë. 

“Në dosjen përfundimtare, prokuroria përpiqet në mënyrë të gabuar ta lidhë praninë e z. Krasniqi në disa vende krimesh të pretenduara me kryerjen e krimeve pa dhënë asnjë dëshmi të vetme se e e ka parë ai personalisht të ndaluar në ndonjë vend apo nëse prania e tij ka kontribuuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve. Në paragrafin 581, prokuroria pretendon se vizitat në terren të z. Krasniqi shpesh janë kryer pranë një vendi apo në një periudhë kohore kur janë kryer krimet. Pra ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë ne bazën dhe pa na dhënë ne bazën se prania e tij ka dhënë kontribut në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht ‘ka qenë i pranishëm’ nuk mund të pretendohet që kjo është një provë”, tha Ellis. 

Avokati Ellis përmendi edhe pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Krasniqi e ka takuar Lahi Brahimajn i cili është dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi. Por, sipas tij, prokuroria s’e ka dëshmuar dijeninë e tij për krimet që kreu Brahimaj.  

“Sa i takon Jabllanicës fillimisht, pretendimi është se z. Krasniqi ka vizituar Lahi Brahimajn në vitin 1998-n edhe në korrik dhe se dihej botërisht  që Brahimja kontrollonte vendin ku mbaheshin të ndaluar personat. Kontrolli i një godine apo një objekti nuk është problemi, problemi është cilat janë provat që z. Krasniqi e ka ditur asokohe që atje kryheshin krime dhe sipas nesh, nuk ka asnjë provë. Nuk ka provë që komunikimet në korrik të 98-ës kanë shërbyer për ta njoftuar z. Krasniqi dhe nuk është dhënë asnjë provë konkrete se ai në të vërtetë ka pasur informacione lidhur me këtë”, tha ai.

VIDEO:

Mbrojtësi i Krasniqit i tha gjykatës se argumentim i dobët nga ana e ZPS-së shihet edhe te pretendimet se i akuzuari ka qenë në dijeni për krimet e kryera në Bajgorë. 

“Sa i takon Bajgorës, e njëjta gjë. Z. Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që ka vizituar Zonën e Llapit në gusht të 1998-ës, por prokuroria nuk e vërteton që ai të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që z. Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Në fakt në paragrafin 56 pretendohet se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë kësaj vizite. Kjo nuk mjafton për të dalë në përfundimit se ai ka pasur dijeni për ndalim të personave atje”, tha Ellis. 

Mbrojtësit e të akuzuarve e kanë sjellë vazhdimisht në vëmendje se ZPS-ja po përpiqet ta bindë  gjykatën përmes “agumentit të shoqërimit”. Por sipas tyre ky lloj argumenti është i paqëndrueshëm meqë, prania e tyre e edhe takimi me pjesëtarë të UÇK-së kudo nëpër Kosovë nuk është provë e mjaftueshme se ata kanë qenë në dijeni për kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë.