Prishtinë, 5 nëntor – Nga ky vit UNESCO ka vendosur që e enjtja e parë e çdo nëntori të jetë Dita ndërkombëtare kundër dhunës dhe bullizmit në shkolla. Ngacmimet dhe viktimizimet e përjetuara në shkolla privojnë miliona fëmijë që të mos plotësojnë të drejtën për edukim në nivelin global.
Sipas UNESCO-s një në çdo tre nxënës në nivelin global është i viktimizuar ose ngacmuar në shkollë dhe si pasojë e kësaj u rrezikohet të kenë përformancë më të ultë akademike, të braktisin shkollimin ose të përjetojnë situata ku i rrezikohet jeta ose të vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Andaj dhuna në shkolla është një çështje serioze e cila kërkon angazhim dhe përkushtim nga të gjitha nivelet e shoqërisë përfshirë qeveritë, ministritë relevante, komunat, shkollat, mediet, OJQ-të, ekspertët, shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit.
Me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër dhunës në shkolla, Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” lanson rezultatet të një studimi mbi dhunën dhe viktimizimi në mesin e nxënësve të shkollave fillore në Kosovë. Ky studim është zhvilluar me mbi 12.167 nxënës në 13 komuna të Kosovës dhe në 100 shkolla, që e bën një nga studimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në vend.
Rezultatet e këtij studimi dëshmojnë për prezencë të të gjitha formave të dhunës në shkollat fillore të Kosovës përfshirë dhunën fizike, psikike dhe atë seksuale të ushtruar nga bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit. Gjeturat e studimit vënë në pah disa nga faktorët mbrojtës dhe rrezikues në shkolla që ndërlidhen me viktimizimin e nxënësve. Më saktësisht, të gjeturat dokumentojnë se raportet pozitive të nxënësve me mësimdhënës dhe rregullat e qarta kundër dhunës në shkollë shoqërohen me nivele më të ulëta të viktimizimit. Komunikimi i dobët në familje shoqërohet me nivele më të larta të viktimizimit dhe nxënësit që raportojnë çfarëdo lloj viktimizimi raportojnë edhe nivele më të larta të distresit psikologjik që mund të jetë rrezik për zhvillim të problemeve të shëndetit mendor. Të gjeturat e studimit konstatojnë se në Kosovë ka një bazë të mirë ligjore për parandalimin dhe ndalimin e dhunës në shkolla, por njëkohësisht mungon zbatueshmëria e strategjive apo rregulloreve ekzistuese që do të ndihmonin në adresimin e këtij fenomeni.
Lajmi i mirë është që dhuna në shkolla mund të parandalohet dhe për këtë ka dëshmi shkencore se mund të arrihet edhe ne vendet më të varfra në botë përmes programeve të bazuara në evidencë. Vendi ynë e ka mundësinë që të bëjë një hap para në mbështetje të mirëqenies emocionale dhe sociale të fëmijëve në shkolla duke forcuar më tutje shërbimet psikologjike dhe pedagogjike në shkolla. Këto shërbime do të mundësonin zhvillimin dhe implementimin e intervenimeve të bazuar në evidencë që kanë dëshmuar se parandalojnë apo ulin nivelin e dhunës në shkolla, përmirësojnë e klimën e përgjithshme në shkolla dhe përmirësojnë mirëqenien emocionale të nxënësve.
Disa nga rezultatet e këtij studimi mund ti gjeni në dokumentin e bashkangjitur. Rezultatet e plota të këtij studimi do të botohen në fillim të dhjetorit në një publikim të veçantë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.