Sot janë bërë 31 vjet që kur delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, më 7 shtator 1990 formalizuan Deklaratën e Pavarësisë të 2 korrikut të atij viti me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.
Shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator 1990, në një organizim të mirë dhe të fshehtë, pasi vendi ishte i mbushur nga forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit, të cilët kishin nisur një spastrim të hapur të institucioneve të Kosovës, duke i larguar punëtorët shqiptarë dhe futjen e masave të dhunshme.
Liderët e institucioneve dhe kryetarët e partive urojnë 31-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut
Krerë institucionesh dhe liderë partish kanë uruar 31-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut është guri themeltar i rendit juridik të shtetit të Kosovës.
Ajo ka thënë se tri dekada më parë, ëndrra e brezave për shtetin e Kosovës mori formë. Osmani ka thënë se së pari Deklarata e 2 korrikut 1990 e pas saj Kushtetuta e Kaçanikut e bënë Kosovën Republikë, i dhanë kuptim thirrjes së hershme, kauzës sonë për liri, demokraci e shtet.
“Në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtjesor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Të frymëzuar nga idealet e lirisë dhe demokracisë, delegatët e Kuvendit të Kaçanikut sfiduan guximshëm veprimet represive dhe kërcënimet brutale të regjimit të Serbisë, duke u bërë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Urime Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, e bëfshim Kosovën çdo ditë e më të mirë”, thuhet në njoftim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përvjetorin e 31-te të Kushtetutës së Kaçanikut, ka shprehur mirënjohje për deputetët e asaj kohe dhe ka vlerësuar lartë kontributin e tyre në vënien e themeleve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Mëngjesi i kësaj date na bën të kujtojmë e vlerësojmë njerëzit tanë që me shumë mund dhe sakrificë dhanë gjithçka për të realizuar ëndrrën e një populli të tërë për liri e pavarësi. Sot është ditë e veçantë për Kosovën sepse ndodhi një ndër zhvillimet më të rëndësishme – Kosova vendosi bazamentin e ndërtimit të shtetësisë. Delegatët e asaj kohe, me guxim të pashoq dhe të mbështetur nga populli arritën ta shpallin Kushtetutën e Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, duke vendosur themelet e shtetësisë dhe duke dëshmuar vendosmërinë e popullit për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në njoftim.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut kishte për qëllim ta bënte Kosovën shtëpi.
“Duke shprehur mirënjohje të përjetshme për deputetët e 7 shtatorit 1990, kujtojmë sot aktin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Kaçanikut, nga më të avancuarat në rajon për rrethanat kohore. Duke kujtuar, kohërat e vështira të okupimit, rrugën e vështirë deri te liria, nderojmë sakrificën e secilit që dha mundin, gjakun dhe jetën, që ne të kemi shtet dhe kushtetutë. Duke respektuar përpjekjet shekullore për liri, frymën e Kushtetutës së Kaçanikut, është obligim i joni që t’i ruajmë si gjërat më të shenjta, lirinë, demokracinë dhe institucionet demokratike. Ruajtja e rendit kushtetues demokratik, bëhet së pari duke respektuar vlerën e jetës njerëzore, në përballjen tonë me sfidën e shekullit. Kushtetuta e Kaçanikut, kishte për qëllim të na bënte shtëpi. E sot shtëpia jonë e përbashkët, Republika e Kosovës, duhet të jetë vatër e ngrohtë për secilin, që ofron mundësi për jetë, punë e ardhmëri”, ka shkruar ai.