Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ia ka theksuar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriqin, rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë atë të Ohrit të vitit 2023.
Në një njoftim në X, Sorensen ka thënë se me Gjuriqin ka diskutuar për rëndësinë e angazhimit në dialog dhe për të çuar përpara normalizimin ekonomik.
“U takova me Marko Gjuriqin. Diskutuam për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, dhe për të çuar përpara normalizimin ekonomik që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Sorensen.
Marrëveshja e Ohrit njihet edhe si Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Edhe pse ajo nuk u nënshkrua, sipas BE-së, është e detyrueshme për të dyja palët. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në raste se zbatimi i marrëveshjeve mbetet i bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga ana e Serbisë dhe e letrës së Ana Bërnabiqit drejtuar vendeve anëtare të BE-së kur pati shprehur rezerva për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të dakorduar në Ohër. Kjo marrëveshje parashihte zbatimin e të gjitha detyrimeve që dilnin nga Marrëveshja Bazë e Brukselit. Kurti fillimisht e pati vlerësuar aneksin si njohje de facto nga Serbia. E ndër pikat ishin edhe ato për personat e zhdukur gjatë luftës e ajo për vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë.
Në dialogun me Serbinë, nuk ka pasur takim të nivelit të lartë prej 2023-s. Ndër kushtet që Kurti ka përmendur për kthim në tavolinën e dialogut ka qenë edhe dorëzimi i kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq.
-
Sorensen: Nuk ka afat për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi
-
Sorenseni ankohet për efektin e krizës politike në dialog e Kurti për mosmirënjohje nga ana e BE-së
-
“Pishmani” i serbëve e sjell Sorensenin pa paralajmërim në Prishtinë
-
Bajrami në takim me Sorensenin: Progresi në dialog varet nga llogaridhënia e Serbisë për Banjskën
-
Integrimi në BE e aktualiteti politik në Kosovë – çështjet që u diskutuan mes Kurtit e Sorensenin