Analisti Agim Sopi, ka thënë se nuk e kupton pse KFOR-i ka lejuar që polici Dragan Smigiq bashkë me 150 policë të tjerë serbë, të hynë në territorin e Kosovës dhe të ushtrojnë dhunë ndaj pjesëtarëve të këtij misioni.
Pas intervistës së kryeministrit Albin Kurti të transmetuar në “Konfront” të KTV-së, Sopi ka thënë se strukturat kriminale po përkëdhelen.
“KFOR-i ka për obligim me Rezolutën 1244 që t’i ruajë kufijtë e Kosovës. Pse janë lejuar nga ana e KFOR-it meqë ushtria jonë s’ka të drejtë t’i mbrojë kufijtë, Policia është vetëm nëpër pika doganore, pse është lejuar ai polici Dragan Smigiq, pse është lejuar me shkopin e tij zyrtar bashkë me 150 policë të tjerë nga Merdari të vijnë dhe ta rrahin ushtrinë e KFOR-it. Pse gjithë kjo përkëdhelje e strukturave kriminale dhe pse gjithë kjo mbyllje sysh përpara një realiteti absolutisht të papranueshëm?”, ka thënë ai.
Duke komentuar intervistën e Kurtit, redaktori i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka thënë se diskursi i kryeministrit tregon se nuk i bindet presionit ndërkombëtar.
“Kryeministri përgjatë gjithë intervistës tregoi një vetëbesim dhe një konsistencë në lidhje me atë çfarë është vepruar në veri vazhdimisht. Në përcaktimin e tij ai nuk e ka ndërmend të heqë dorë përkundër presionit ndërkombëtar. Në kuadër të këtij diskursi disa herë e theksoi se nuk i bindet këtij presioni ndërkombëtar, madje e theksoi se do të vijë koha që ndërkombëtarët do të binden që kanë punë me një polici fashiste”, ka thënë ai.
Sipas tij, i gjithë narracioni ishte i tillë si duhet vepruar në një shtet normal, “e që realisht nuk e ka akoma të rrumbullakuar sovranitetin as të brendshëm madje, e lëre më atë ndërkombëtar”.
