Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur rezultatet e sondazhit mbi këndvështrimin e qytetarëve për reformën në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Gjatë prezantimit të të dhënave hulumtuesi i KDI-së Arbër Thaçi, theksoi se sondazhi prej 6 pyetjeve, është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç nga i gjithë territori i Kosovës.
Synimi i këtij sondazhi, KDI tha se ka qenë të nxirren perceptimet dhe disponimi i qytetarëve për nevojën e reformës në sistemin e drejtësisë, besueshmërinë e qytetarëve në organet e drejtësisë, çështjen e vetingut dhe Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dy procese të cilat janë në qendër të reformës në drejtësi.
Thaçi tha se qytetarët gjatë sondazhit vlerësuan sistemin aktual të drejtësisë me notë mesatare 3.14%, që sipas tij është përqindje mjaft e ultë.
“Lidhur me atë se sa i besojnë ata sistemit të drejtësisë në Kosovë, qytetarët vlerësuan se në një matje nga një deri në pesë, ku pesë përfaqëson maksimumin e kënaqjes me sistemin e drejtësisë, qytetarët vlerësuan se sistemi aktual në përgjithësi është me një notë mesatare 3.14%. Derisa për 47.9% të qytetarëve mendojnë se reformat e thella në drejtësi përfaqësojnë gjykata të pavarura, ndërkaq 52.6% gjyqtarë profesional. Kemi edhe një përqindje tejet të konsiderueshme që shkojnë drejt opsioneve si qasje më e lehtë në sistemin e drejtësisë 36.4%, ndërsa 39.4% shkojnë në zgjidhjen më efikase të rasteve gjyqësore, ose 40.7% të qytetarëve të anketuar shkojnë të një luftë më efikase kundër korrupsionit ose krimit të organizuar”, tha ai.
Edhe
KDI-ja kërkon qartësim urgjent nga Gjykata Kushtetuese për situatën institucionale
Thaqi tha se ka një përqindje relativisht të njohur të qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen ose nuk kanë opinione mbi përmbajtjen e reformës në drejtësi.
Sa i përket mendimit të qytetarëve se a mendojnë që sistemi i drejtësisë mund të reformohet, Thaçi tha se 70% e qytetarëve kanë shprehur mendimin se reforma në drejtësi është e mundur, për dallim të opinionit mohues ishin nga 19.3% që mendojnë se sistemi i drejtësisë nuk mund të reformohet.
Kur janë pyetur për çështje konkrete të reformës në drejtësi si çështja e vetingut, Thaçi theksoi se kjo pyetje ka pasur për qëllim të nxjerr në pah se sa e kuptojnë qytetarët çështjen e vetingut në drejtësi.
Nga rezultatet e sondazhit del se procesi i vetingut për përqindjen më të lartë të qytetareve, konkretisht mbi gjysmën e tyre prej 53.2% dhe 50% nënkupton vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, respektivisht vlerësimin e prejardhjes së pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në anën tjetër, për një shumicë të konsideruar të qytetarëve 49.7%, procesi i vetingut nënkupton vlerësim profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Derisa 73.7% e qytetarëve janë shprehur se procesi i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë.
Thaçi: 73.7% e tyre pohuan se një proces i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë
“Ndërkaq kur janë pyetur se sa e përkrahin ata vetingun në sistemin e drejtësisë, shumica e qytetarëve, konkretisht 73.7% e tyre pohuan se një proces i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë, ndërsa 13.1% të qytetarëve zgjodhën të përgjigjen se nuk janë dakord që ky proces i vettingut të ndodhë”, tha ai.
Edhe
KDI: Kriza politike bllokoi reformat kundër korrupsionit
Në pyetjen e fundit të këtij sondazhi, qytetarët janë pyetur edhe për çështjen e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, që është po ashtu pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Konkretisht për këtë çështje qytetarët janë pyetur se a e përkrahin idenë e krijimit të një organi të tillë. Lidhur me këtë, 76.6% e të anketuarave kanë shprehur mbështetje për krijimin e Byrosë Shtetërore, me 11.8% e tyre që nuk e mbështesin një gjë të tillë.
Sondazhi është realizuar gjatë muajit shtator.