Arbëri

Sogojeva: Vitia na ka premtuar se kërkesat tona do të realizohen

Ekonomia Online - Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka premtuar se kërkesat e tyre do të përpiqet t’i realizojë.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat për hapjen e sallave të dasmave, Sogojeva shton se pas takimit gjashtë orësh që kanë pasur me ministrin kanë rënë dakord që nga e hëna të rifillojnë punën sektori i gastronomisë dhe ai i hotelerisë, por me kufizime.

Ndonëse të dielën temë e takimit nuk ishte lejimi i mbajtjes së dasmave, Sogojeva potencon se kanë marrë zotimin e kërkesat e tyre do të realizohen.

“Nuk kemi lyp diçka jashtë normales, por kemi lyp ato që mund të realizohen dhe kemi gjetur një ujdi me ministrin aktual Vitia. Në kuadër të kësaj e kemi pasur takimi jo vetëm dje, por edhe më herët dhe na është premtuar që kërkesat do të realizohen. Dje kemi mbajtur takim, para se me u marrë vendimi. Është marrë një vendim i tillë, zgjatja e takimit prej 6 orësh ka dhënë rezultat, zgjatja e orarit të punës ka qenë, falë angazhimit e kemi mundësuar që ministri të pajtohet që të jetë deri në ora 22:00. Në këtë drejtim, jemi zotuar që kërkesat e tyre të shkojnë në vendin e duhur, por dje nuk ka qenë temë kjo. Ne dje kemi pasur temën vetëm hapja e gastronomisë dhe hotelerisë si dhe qendrave tregtare”.

Sogojeva ka pohuar se tash e tutje asnjë vendim i Qeverisë që ka të bëjë me vendosjen e masave të reja nuk do të bëhen pa konsultimin e tyre,.

Të enjten ai ka konfirmuar se do të kenë takim me përfaqësuesit e sallave të dasmave.

Sipas tij, do të ishte absurde nëse nuk lejohet organizimi i dasmave duke marrë për bazë që do të bëhet vaksinimi, masat do të respektohen dhe do të bie numri i të infektuarve.