Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Rastislav Kaçer, ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dakordimin për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Dakordimin e së shtunës, Kaçeri e ka cilësuar si hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit rajonal.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai ka shprehur gatishmërinë e Sllovakisë për të mbështetur në këtë drejtim.
“Përgëzoj guximin dhe përgjegjësinë politike të liderëve të Serbisë dhe Kosovës. Hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe forcimit të stabilitetit rajonal. E rëndësishme që të bëhen të gjitha elementet e dakorduara për të hapur potencialin e plotë për të gjitha palët. Sllovakia është gati të japë mbështetjen e saj”, ka thënë ai.
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh.
Pas takimit në Ohër, ai ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.