Presidentja Vjosa Osmani të martën është takuar me ambasadorin gjerman Jorn Rohde dhe kanë folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin presidentja potencoi se ky proces duhet të përmbyllet me sukses.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Para 10 ditësh, ambasadori Rohde pati thënë se Kosova nuk do ta shohë veten në Këshillin e Evropës nëse nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në takim, sipas njoftimit, u diskutua për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët, “gjersa presidentja Osmani foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende”.
Edhe
Rohde s’e sheh Kosovën në Këshillin e Evropës pa zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit
Gjykata Kushtetuese i pati dhënë të drejtë Manastirit të Deçanit për pronësinë e 24 hektarë tokë dhe pyll.
Institucionet vendore refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, pasi vlerësojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, e para fabrikë e mjaltit dhe e dyta hotel.
Sipas autoriteteve lokale dhe qendrore, vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.
Edhe
Për anëtarësim në KiE, Kosovës i kërkohen veprime për Asociacionin dhe pronat e Manastirit të Deçanit
Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.