Arbëri

S’ka sinjale për zhbllokim të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës

Në përpjekjen e 11-të për konstituimin e Kuvendit pritet që sërish të bëhet votimi për herë të tretë për komisionin zgjedhor për votimin e fshehtë. Deputetët opozitarë i kanë kërkuar sqarime administratës së Kuvendit. Administratës i është kërkuar të përgatitet për votimin që dështoi, e vetë ajo ka kërkuar që në seancë fillimisht të konstatohet emri i propozuar për kryeparlamentar

Përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit që nisi më 15 prill, do të bëhet të hënën.

Edhe kësaj radhe pritet që partia fituese ta vazhdojë përpjekjen për ta futur votimin e fshehtë – fillimisht me formimin e komisionit zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se shteti ka mbetur pa institucione sepse siç ka thënë ajo “Albulena ka vendosur të bëhet masha e Albinit”.

“Albulena po lejon që emri i saj të bëhet arma me të cilën Albini po synon të vrasë demokracinë tonë. Ajo po bëhet shkaktare e një krize institucionale, politike dhe morale. Por nuk do t’ia dalin. As një mijë Albina e Albulena nuk do të mund ta vrasin këtë shtet”. Do të mbeten vetëm si dy njolla në rrugën institucionale të Republikës së Kosovës. Dhjetë herë tentuan, dhjetë herë dështuan. Në ndërkohë Donika, Mimoza dhe Peci po mundohen me i shite mend një Kosovë të tërë, po për me shitë mend duhet fillimisht me pasë mend”, ka thënë Musliu.

E sipas Administratës së Kuvendit, lidhur me propozimin për votim të fshehtë mund të vendoset nëse votojnë 50 për qind plus një deputet për – për shembull kur 31 vota janë për dhe 61 deputetë marrin pjesë në votim.

Te shefi i administratës së Kuvendit, Arben Loshi, qëndruan për rreth 10 minuta më 1 maj deputetja Hykmete Bajrami e LDK-së e edhe Abelard Tahiri i PDK-së.

Sipas deputetes Bajrami, arsyeja ishte sepse kishin dëgjuar që do të bëhej përpjekje për ta futur votimin e fshehtë.

“E kemi pyetur sekretarin e Kuvendit se a është e vërtetë informata që po qarkullon se ka tentativë për t’u ndryshuar forma e votimit dhe ai e ka konfirmuar dhe ka thënë se kanë marrë kërkesë prej z. Dehari që sekretaria të përgatitet për një votim të fshehtë”, ka thënë ajo.

E Arben Loshi, zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, tha se kërkesën për t’u përgatitur për votim të mbyllur e mori në kohën kur parashihej të niste seanca e 1 majit.

Por ai tha se kërkoi që fillimisht të konstatohej zyrtarisht në seancë emri që do të vendosej në fletëvotim.

Tha po ashtu se interpretimi i rregullores i takon kryesuesit, i cili siç tregon ai, e ndryshoi planin për votimin e hapur.

“Qysh prej skenarit të parë që ka filluar më datën 15 prill gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me praktikën e tetë legjislaturave të kaluara. Ndryshimet që mund të ndodhin aty për aty janë çështje të tjera që me rregulloren e Kuvendit, kryesuesi i seancës e interpreton rregulloren – kryetari apo kryesuesi. Ne si administratë jemi trupë profesionale dhe nuk jemi politikanë dhe i shërbejmë me objektivitet të gjitha subjekteve politike që kanë fituar mandate në Kuvend”, ka thënë Loshi.

Partitë deri tash në opozitë e kanë quajtur përpjekjen për të kaluar në votim të fshehtë si veprim në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Ato kanë theksuar se LVV-ja ka dalë jashtë skenarit të seancës që e ka përgatitur sekretariati i Kuvendit. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje është thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 2014-tës.

“Pika 128. Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetet duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të ‘abstenojnë’, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, thuhet në aktvendim.

E shefi i sekretariatit të Kuvendit thotë se skenari me të cilin e nisën seancën është në përputhje me atë që është zbatuar edhe në legjislaturat e kaluara.

I pyetur nëse administrata merr përgjegjësi nëse ndodh ndonjë shkelje, ai tha se përgjegjësia ligjore bie mbi kryesuesin, teksa për këshillat që i jep administrata merr përgjegjësi të plotë.

“Në skenarin e datës 1 maj ka qenë vazhdimi – votimi hapur. S’ka kaluar kandidati në seancën paraprake dhe kemi mbetur aty… Kryesuesi ka vlerësuar se votimi i fshehtë është i mundshëm për çka në fillim të vazhdimit të seancës konstituive i ka njoftuar deputetët. Ne i kemi kërkuar kryesuesit që meqë po hyni në votim të fshehtë duhet themeluar një komision të përkohshëm zgjedhor dhe se na duhet 15 minuta kohë që t’i bëjmë përgatitjet për votim të fshehtë, e në këtë rast komisioni duhet të përbëhet nga të gjithë anëtarët e të gjitha subjekteve politike, sepse s’kemi grupe parlamentare… Administrata nuk ka sugjeruar as votim të hapur e as të mbyllur”, ka thënë Loshi.

Siç tha Loshi, do të përsëritet votimi lidhur me formimin e komisionit zgjedhor, meqë tashmë llogaritet si pikë në gjysmë, meqë nuk ka pasur shumicë deputetësh që e kanë shprehur vullnetin e tyre me votë për as kundër propozimit.

E nëse shumica e deputetëve votojnë, atëherë mund t’i jepet përgjigje propozimit, qoftë duke e çuar përpara apo duke e rrëzuar.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill e propozimi për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit nuk ka kaluar në gjashtë votime.