Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka epilog për mosveprimin e 6 policëve, kur u fshi grafiti me ushtarët serbë të Koshares

Që nga fundi i nëntorit ende nuk është vendosur lidhur me policët që nuk morën asnjë masë pasi qëndruan duke e vëzhguar personin e panjohur tek fshinte grafitin e ushtarëve serbë të luftës së Koshares. Policia, që është duke kryer hetim disiplinor, dyshon për neglizhencë, meqë gjashtë pjesëtarë të saj nuk e legjitimuan personin në vendngjarje dhe nuk çuan informatë tek eprorët e tyre

Grafiti që glorifikon ushtarët serbë në betejën e Koshares u mbulua me të zezë më 28 Nëntor të vitit të kaluar, nga persona ende të paidentifikuar.

E pasi Aleksandar Arsenijeviqi, kryetar i subjektit politik Demokracia Serbe, u ankua, gjashtë policë u suspenduan për neglizhencë në detyrë për periudhën 72-orëshe, për shkak se dyshohet se ishin në vendngjarje dhe nuk i legjitimuan personat që mbuluan grafitin.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, thotë se Drejtoria për Standarde në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nuk ka vendosur ende për rastin. 

“Rasti nuk është përmbyllur ende. Suspendimi i atyre gjashtë policëve nuk është bërë, sepse është shkarravitur një figurë e dikujt që ka qenë apo nuk ka qenë në luftë – s’është me rëndësi ajo, por për shkak të neglizhencës”, ka thënë Elshani. 

Ai tregon se Policia nuk po e trajton aspektin e përmbajtjes së mesazhit që është mbuluar, por faktin që policët ishin në detyrë dhe nuk mblodhën informacione e as nuk njoftuan eprorët e tyre. 

“Sheshi ‘Car Lazar’ duhet të mbikëqyret nga policët. Për atë punë janë aty. E kur dikush vjen aty, pa marrë parasysh se kush vjen dhe nis të shkruajë diçka, të vizatojë  a të bëjë diçka dhe policët janë aty, duhet të shkojnë ta pyesin njeriun se kush është ai. E pasi të shkojnë për ta pyetur, atëherë varet nga policët, ata e kanë për detyrë, për obligim, t’i pyesin eprorët e tyre se si të veprojnë tutje. Ndoshta ne do t’i thoshim ndalja punën ose lejoje”, ka thënë Elshani.

Në veri të Kosovës ka mure me imazhe ku glorifikohet lufta e ushtrisë serbe në Kosovë. 

Edhe Suspendohen policët që s'reaguan kur persona të panjohur fshinë grafitin në “Car Lazar” Kronikë Suspendohen policët që s'reaguan kur persona të panjohur fshinë grafitin në “Car Lazar”

Arsenijeviqi në videon ku i xhiroi policët e Kosovës pretendoi se jo mesazhi, por fshirja e tij është nxitje e përçarjes.

Imazhi i forcave serbe që luftuan kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është mbuluar me të zezë dhe rreth saj janë shkruar fjalët në anglisht që e kanë domethënien “paqe e jo luftë”.

E vetëm pak metra larg saj ndodhet grafiti i Brigadës së Veriut, organizatë që është zyrtarisht terroriste në Kosovë që nga 23 qershori i 2023-tës.