Presidenti i Serbisë, Aleskander Vuçiq, ka thirrur një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër në orën 10 të mëngjes, ka mësuar “Novosti”.
Tema kryesore në këtë takim do të jetë ajo çfarë është duke ndodhur sot në pikën kufitare të Jarinjës dhe do të ketë një analizë të vendimit të fundit të Qeverisë Kurti që obligon me targa të përkohshme të gjitha veturat që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo po konsiderohet si shmangie për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011.
Sipas “Novosti”, në këtë takim është i ftuar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, si dhe krerët e të gjitha njësive speciale të forcave të armatosura.
Rakiq kërkon reagimin e Vuçiqit
Sot në mëngjes, udhëheqësit e Listës Serbe shkuan në pikën kufitare të Jarinjes për t'i dhënë mbështetjen e tyre serbëve që kanë bllokuar rrugën, pas reciprocitetit të targave.
Aty janë parë të pranishëm kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe kryetarët e komunave të Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.
Rakiq i bëri thirrje presidentit serb Aleksander Vuçiq, të ndihmojë njerëzit dhe të reagojë në përputhje me mundësitë. Siç deklaroi kryetari i Listës Serbe, ky nuk është një aksion, por një reagim ndaj asaj që bëri Prishtina.
"Unë i bëj thirrje të gjithë atyre që janë mbledhur të përmbahen, dhe gjithashtu Prishtinës të mos ngrejë tensione. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, të cilët janë të shqetësuar se si të sigurojnë bukë për fëmijët e tyre. Ne gjithashtu informuam të Dërguarin Special Miroslav Lajçak dhe kërkuam ndihmën e BE-së. Dhe unë i bëj thirrje presidentit Vuçiq, Vuçiq të reagojë", deklaroi Rakiq.
Petkoviç: Ne nuk do të shikojmë në heshtje
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, e vlerësoi si skandaloze sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka dërguar njësitë speciale që nga mëngjesi i hershëm në pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjak me qëllim zbatueshmerinë e masës reciproke për targat.
Petkoviq përmes një reagim iu drejtua Kurtit duke thënë se “populli serb nuk do të vëzhgojë në heshtje atë që po ndodh sepse heqja e këtyre tabelave heq jetën në veri të Kosovës, por gjithashtu se Marrëveshja e Brukselit nuk është një shuplakë nga e cila shqiptarët mund të marrin atë që i përshtatet pa respektuar ajo që nuk u përshtatet atyre. Ose ajo marrëveshje do të respektohet ose nuk do të jetë”.
Sipas tij, Albin Kurti tani dëshiron të zgjerojë aktivitetet e tij kur bëhet fjalë për targat KM, PR, GL dhe targa të tjera, të lëshuara nga policia serbe për në Kosovë, në nivelin e Serbisë qendrore.