Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, me rastin e shënimit të 72-vjetorit të Luftës së II Botërore kujtoi historikun e transformimeve shoqërore në botë, e sidomos në rajon.
Duke përmendur shkakun e Luftës së II Botërore, tentimi i mbisundimit të Gjermanisë naziste, ai bëri paralele me, siç thotë ai, krijimin e “Shqipërisë së madhe” njoftojnë mediat serbe, transmeton televizioni publik.
“Ja, tani pas 72 vitesh, na ka rënë të dëgjojmë për ‘Shqipërinë e madhe’ si një Shqipëri natyrale, na ka rënë të dëgjojmë edhe për ndryshime kufijsh, që pa fije turpi, frike, vizatojnë kufij të rinj”, deklaroi Vulin.
Ndërsa vazhdon të rendis paralele në shkaqet që kanë çuar në luftë para 72 vitesh, ministri serb Vulin, kërcënoi se “në rast se Gjermania e madhe ka ndezur botën edhe 'Shqipëria e madhe' do ta ndez Ballkanin”.
“Dhe tani dëgjojmë njerëz, për shkak të të cilëve ky popull paqedashës u bombardua për kinse gjenocid në Raçak, dëgjojmë që tani duhet të përfundohet ajo që ishte e pritshme - të bashkohen të gjithë në një vend”, theksoi Vulin.