Prishtinë, 12 mars – Në versionin e Kushtetutës së Kosovës në gjuhën serbe janë mbi 800 gabime në përkthim, jo vetëm gramatikore, por Qeveria në Prishtinë pohon se politika gjuhësore nuk është prioritet i saj, deklaroi drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Miliqeviq, raporton agjencia FoNet, transmeton Koha.net.
Si ilustrim, Miliqeviq ka përmendur dispozitat ligjore mbi sanksionimin e prerjes ilegale të pyjeve. Në variantin shqip të Ligjit, sipas tij, kjo vepër dënohet me 500 euro ose 30 ditë burgim, ndërsa në variantin serbisht sanksioni është 500 euro dhe 30 ditë burgim.
Ndonjëherë, citohet të ketë deklaruar Miliqeviq, përkthimet e dokumenteve në gjuhën serbe është fare i pakuptueshëm, që rrezikon sundimin e të drejtës. Sipas tij, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar eliminimin e gjuhës serbe si njërës nga dy gjuhët zyrtare në tërë territorin e Kosovës.
Ai ka përmendur si një problem serioz për të rinjtë në Kosovë, se ata nëse nuk dinë anglisht nuk mund të komunikojnë mes vete.
Miliqeviq ka përmendur të dhënat e një hulumtimi të kryer ndër serbë, sipas të cilit 90 për qind e tyre konsideron se situata nuk po shkon në drejtim të mirë, ndërsa 60 për qind nuk i beson asnjë politikani.
Krahas pohimit se serbët e Kosovës janë të “mbërthyer” në mes të politikës së Beogradit e shqiptarëve, Miliqeviq ka vlerësuar se Lista Serbe është dorë e zgjatur e Qeverisë së Serbisë.
Lista Serbe është tepër larg nga demokracia dhe nuk përfaqëson as zërin, as interesin e komunitetit serb në Kosovës, konstaton ai.
Sipas fjalëve të tij, “askush nuk e ka parë” skenarin e shkruar për shkëmbim të territoreve ose ripërcaktimin e kufirit, por rezultatet e hulumtimit tregojnë se ndarjen e Kosovës e kundërshtojnë 73 për qind e serbëve të Kosovës.
Në veri të Kosovës këtë skenar e dëshiron dy të tretat e serbëve, ndërsa në jug 20 për qind e tyre, ka deklaruar Miliqeviq, transmeton Koha.net.