Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sipas Krasniqit, padia kundër Serbisë për gjenocid është e mundur

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, konteston pohimet e ekspertëve se Kosova nuk mund të padisë Serbinë për gjenocid, sepse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, transmeton Koha.net.

Ai në një koment të tij thekson se ka mënyrë që padia të bëhet, pavarësisht nga ky fakt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Krasniqi shkruan:

Mbrëmë, më 18 prill 2017, në mjetet tona të informimit u fol për gjoja pamundësinë e paditjes së Serbisë për gjenocidin që kreu në Kosovë. Gjatë prononcimeve të ndryshme për këtë temë u theksua se Republika e Kosovës nuk ka mundësi ta bëjë padinë, sepse nuk është anëtare e OKB-së!

Duke mos dashur që të polemizoj me qëndrimet që m’u dukën të përshpejtuara për çështjen e padisë, po përmend një fakt që asnjë demokrat në botë nuk mund ta mohojë: Krimi i gjenocidit është krimi më i rëndë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe si i tillë ai nuk vjetrohet asnjëherë. Për një krim të tillë nuk është e domosdoshme që padinë ta bëjë shteti që ka përjetuar gjenocidin. Ka modalitete të ndryshme se si bëhet padia kundër një shteti që ka kryer krimin e gjenocidit.

Ajo që është urgjente në këto momente dhe tejet e rëndësishme lidhet me domosdoshmërinë e përgatitjes së një dosje koherente dhe sa më komplete që të jetë e mundshme për këtë çështje.

Të gjithë duhet të bien dakord se kjo çështje nuk është punë e as vullnet i akëcilit individ por është çështje e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të merren vesh për formimin e një ekipi ekspertësh që do të përgatisin dosjen për padi.

Duke u nisur nga fakti se në librin “Mashtrimi i Madh” është argumentuar shkencërisht se në Kosovë Serbia ka kryer gjenocid, kam bindjen e plotë se autori i këtij libri, politologu Bardhyl Mahmuti, është personi më adekuat për të udhëhequr këtë mision me rëndësi të jashtëzakonshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Përkushtimi institucional për përgatitjen e padisë dhe mbështetja e gjithanshme që kjo çështje të bëhet në mënyrën sa më serioze është detyrë shumë më e rëndësishme se të flitet për padi.