Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sindikatat e sektorit publik dhe privat kritikojnë qasjen e Qeverisë Kurti

BSPK, protesta, Qeveria Kurti

Rrahman Jasharaj, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, kanë kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti, për siç thonë ata, injorimin e sindikatave.

Jasharaj i SBASHK-ut paralajmëroi se pritet të ketë grevë pas 20 prillit, në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre që të ndihmohen me nga 100 euro mësimdhënësit në të gjithë Kosovën. Jasharaj ka thënë se kjo kërkesë është e arsyeshme për shkak të ngritjes së çmimeve dhe vonesës së miratimit të Ligjit të Pagave.

“Është kërkesë e kamotshme e sindikatës sonë. Sot patëm protestë të qetë. Më nuk do të ketë protesta. Pas 20 prillit, do të ketë greva. Do të fillojmë me grave njëorëshe, dyorëshe. Nëse prapë nuk ka reagim nga Qeveria, do të ketë grevë të përgjithshme, nga e cila nuk do të dalim pa u plotësuar kërkesat. Qeveria Kurti ka qëndrim jashtëzakonisht të keq ndaj sindikatave. E keqja më e madhe do të vijë pas 20 prillit sa i përket arsimit. Do të ketë greva nga çerdhet e deri te institucionet më të larta arsimore. Qeveritë e kaluara na kanë nxjerrë telashe, por megjithatë janë skuqur në fytyrë dhe na kanë plotësuar disa kërkesa. Kjo Qeveri është barrikaduar, siç thotë populli ‘është mbyllur me shtatë dry’. Në rast se ka grevë, nuk do të mbahet as testi PISA”, ka thënë Jasharaj në “60 Minuta” të KTV-së.

E Azemi nga SPSPK-ja ka thënë se mezi ka pritur që Albin Kurti të vijë në Qeveri, pasi thotë se ka menduar se Kurti ia di hallin punëtorëve, por shton se ka ngelur i befasuar.

“Protesta e sotme ka qenë për t’ia kthjellur mendjen Qeverisë. Ne me të gjitha mjetet po përpiqemi të futemi në dialog. Jemi të befasuar, sepse sa ka qenë Kurti në opozitë, kemi thënë që sa më shpejt ky njeri duhet të vijë në pushtet se po ia dinë hallet punëtorëve. Ne e kuptojmë nëse nuk ka fonde, por këta as nuk po na presin në takim. Është premtuar më 5 mars 2020 nga goja e Kurtit se paga minimale nuk do të jetë nën 350 euro, por sot pas një viti nuk ka ndryshuar gjë. Janë lojëra të Kurtit ato që thotë se pagën 250 euro nuk po na pranojnë sindikatat. Ai mund ta kalojë këtë edhe pa sindikatat, por janë lojëra”, është shprehur Azemi.