Arbëri

Sindikatat e Qeveria me qëndrime të kundërta rreth rritjes së pagës minimale

Ministria e Financave është në finalizim të projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur. Sindikatat kërkojnë që rritja të bëhet në pragun prej 350 eurove, teksa Qeveria nuk ka përmendur një shumë të tillë. Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro

Ani se puna për rritjen e pagës minimale në Kosovë ka nisur, sfidues po del të jetë caktimi i pragut të tij.

Dakordimi do të bëhet brenda Këshillit Ekonomiko-Social, të përbërë nga tre partnerë socialë - punëdhënësit, punëmarrësit dhe Qeveria. Porse pajtueshmëria mund të jetë zor e arritshme po qe se kryeministri, Albin Kurti, nuk luan nga zotimet që i kishte bërë qysh para ardhjes në krye të Qeverisë. Asokohe ai kishte premtuar që rritja e pagës minimale të jetë në 250 euro, ndërsa sindikatat kërkojnë që pragu të shkojë në 350 euro.

Duke e mbrojtur këtë kërkesë, Atdhe Hykollli, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe njëherësh, kryetar i Këshillit Ekonomiko-Social, ka bërë të ditur se nuk do të negociohet për opsionet nën shumën e kërkuar.

“Paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011 dhe sipas analizave tona që kemi pasur deri tash, negocimi i pagës minimale nën 350 euro është i vogël. Ne mendojmë se nën nivelin e 350 eurove ndoshta nuk kemi se as çfarë të diskutojmë”, ka theksuar ai.

Këtë kërkesë ai e ka bazuar në rritjen e çmimeve në Kosovë, veçmas të produkteve esenciale.

“Ne e dimë se çmimet kanë ndryshuar shumë, dhe më e keqja, edhe te produktet më esenciale të konsumit. Në linjë me këto lëvizje, ne konsiderojmë që seriozisht duhet të lëvizë edhe paga minimale dhe në këtë nivel që ne po e rekomandojmë”, ka shtuar Hykolli.

Rekomandim edhe më të lartë sesa BSPK-ja kanë bërë nga Sindikatat e Punëtorëve të Sektorit Privat. Kanë kërkuar që rritja të jetë në 400 euro, porse kjo kërkesë mund të mos jetë në përputhshmëri me atë që mund ta ofrojë Qeveria, meqenëse kryeministri ishte zotuar se pagën minimale do ta rrisë në 250 euro.

Nëpërmjet një postim në Facebook gjatë së hënës, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se pragu i pagës minimale ka mbetur për t’u dakorduar brenda Këshillit Ekonomiko-Social. Ndërkaq, gjatë adresimit të së martës para deputetëve në seancë të Kuvendit, Kurti ka folur për pagat por jo konkretisht për atë minimalen. Ka thënë se ato do të rriten, porse jo në proporcion me rritjen ekonomike.

“Ndonëse pagat në Kosovë duhet të rriten e do të rriten, ato s’mund ta ndjekin rritjen ekonomike. Në anën tjetër, pagat mund ta ndjekin rritjen ekonomike vetëm kur kemi papunësi shumë të ulët. Në kushte kur kemi papunësi shumë të lartë, s’mund ta ndjekë rritjen ekonomike rritja e pagave”, ka thënë Kurti.

Rritja e pagës minimale ka qenë çështje problematike edhe shkaku i implikimit buxhetor që ka në skemat pensionale, sidomos të veteranëve. Rreth 40 mijë persona marrin pensione të veteranit dhe lartësia e shumës së tyre është rregulluar me ligj, ashtu që të mos paguhet nën pagën minimale të përcaktuar në Kosovë. Por për ta bërë të mundur rritjen e pagës minimale pa implikuar pensionet, Kurti ka bërë të ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përgatitur projektligjin që së shpejti do të dalë në konsultim publik. Por nga Ministria e Financave nuk kanë dhënë përgjigje nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje edhe në ligje të tjera.

Para zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit të kaluar Kurti kishte premtuar se në qeverisjen e tij paga minimale prej 250 eurosh do të përjashtohet nga tatimi në të ardhura personale.

“Zotohem që paga minimale do të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale dhe që do të rishikohet vit për vit për të reflektuar ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend”, kishte thënë ai gjatë fushatës. Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për atë nëse do të merret apo jo parasysh ky zotim për cilindo prag të pagës minimale që do të vendoset.