Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka paralajmëruar veprime sindikale në rast se vendoset që për infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësor të paguhen me koeficientë 4.7.
Në një konferencë për media, nën kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku, tha se në ditët në vijim do të koordinohen me grupin punues për organizimin e protestës apo grevës për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth pagave të këtyre kategorive.
“Sindikata e infermiereve te Kosovës ashtu siç ka paralajmëruar pas qarkullimit të shtojcës me koeficient të cilën shtojcë ky komunitet ishin të kategorizimi shumë i ulët, pothuajse njëjtë si në Ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Jemi dakorduar për masat sindikaliste që do të merren në rast që do të konfirmohet kjo shtojcë, këtë e mbështetë më se shumti që askush nga zyrtarët ende nuk doli ta demantojë”, tha ai.
Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustema, tha kërkojnë që koeficienti të jetë 7 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistë tjerë shëndetësor pa dallim.
“Kemi mbajtur takime ku kemi shpreh shqetësim, i cili për herë të dytë po vërehet. Do t’i përkrahim të gjitha veprimet sindikale. Ne do të kërkojmë që të jemi të barabartë me të gjithë kolegët”, u shpreh ai.
Po ashtu edhe nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve të Urologjisë së Kosovës, Hasan Gashi dhe kryetarja e Shoqatës së instrumentarëve të Kosovës, Adelina Lahu, e quajtën diskriminim rritjen e pagës vetëm deri rreth 15%.
Edhe
Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Sindikata e Infermierëve të Kosovës dhe shoqatat përfaqësuese të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, janë dakorduar se do të përkrahin të gjitha veprimet që do të ndërmerren për kundërshtimin e Ligjit të Pagave dhe koeficientet.
Ditë më parë në media ka qarkulluar një shtojcë me koeficiente të pagave, e pakonfirmuar nga institucionet, ku komunitetet infermier, mami dhe profesionist shëndetësor janë ranguar me koeficiente 4.7, 4.6, 3.8 dhe 3.7.
Ndërsa, mjekët janë të ranguar me koeficient 10.1.