Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sigurohen grante për bizneset në përmirësimin e cilësisë së produkteve vendore

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përmes Agjencisë për investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar konferencën informuese për lansimin e “Programit për grantet e përputhshme (PGP)”, që është i financuar nga Banka Botërore, i cili ka për qëllim bashkëfinancimin me ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) dhe shoqatat e biznesit për fushat e standardizimit/certifikimit të produkteve si dhe shërbimet e zhvillimit të biznesit.

Në hapjen e kësaj konference, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala potencoi se Qeveria e Kosovës ka pranuar financim nga grupi i Bankës Botërore për projektin e konkurueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport (CERP), që përfshin financimin prej 2.3 milionë eurosh për programin e granteve të përputhshme (PGP).

Ministri Shala foli edhe për efektin e këtyre granteve në të ardhmen, ku përmes tyre kompanitë do të ndihmohen në rritjen e tregut, të eksportit dhe në zhvillimin e produkteve të reja, si dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, duke ndikuar po ashtu edhe në profesionalizmin e tyre.