Qytetarë të shumtë, 1 Majin - Ditën e Punëtorëve e kanë festuar në parkun e Gërmisë. Shumica prej tyre thonë se me vite të tëra, ditën e punëtorëve e festojnë këtu. Por, si rrallëherë, Gërmia ka qenë më e pastër, raporton KTV .
Të drejtën për të shkuar në Gërmi me veturë nuk e kishin të gjithë, përveç veturave zyrtare, banorët e lagjes dhe autobusët urban.
Megjithatë, qytetarë të shumtë, në këmbë, ia mësynë parkut. Shumica nga vizitorët tregojnë se vijnë nga komunat tjera të Kosovës.
Familje të shumta thonë se ky park është mundësia më e mirë për të organizuar piknik.
Shitës të shumtë ambulantë kanë ofruar gjëra të ndryshme të imta, derisa prapa kamerës kanë treguar se kanë marrë leje nga komuna për shitje.
Këtë vit, Gërmia ishte e pastër, pasi punëtorët e hortikulturës janë kujdesur tërë kohës që t’i mbledhin mbeturinat. Gjatë gjithë ditës, në Gërmi kanë qëndruar edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Komunal.