Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si u keqpërdorën të dhënat e ndjeshme të fëmijëve kosovarë

Të dhëna të ndjeshme të fëmijëve kosovarë janë ekspozuar ndërkombëtarisht nëpërmjet një organizate që ka funksionuar në Kosovë e regjistruar me qëllimin edukativo-arsimor. Ish-punëtorë të “World Vision”, degës në Kosovë, në emisionin “Java Sonte me Rronin” kanë dhënë dëshmitë e tyre se si të dhënat e fëmijëve, që punëtorët i kanë mbledhur, janë ekspozuar ndërkombëtarisht e kanë mundur të keqpërdoren lehtësisht.

Organizata në fjalë kishte pasur memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit e Komunën e Lipjanit. Tre ish-punëtorë të saj kanë treguar për shokun që kanë përjetuar kur kanë parë se të dhënat që u ishte thënë se janë të sigurta dhe konfidenciale, i kanë gjetur në uefbaqe në internet. Dyshimet e tyre e ndërlidhin këtë organizatë me qëllime me prapavijë fetare protestante.

Në uebfaqen e kësaj organizate fotografitë e fëmijëve kosovarë ishin postuar me shkrime të ndryshme si “Një 12-vjeçar nga Kosova, që ka rëndësi te Zoti”, “një vajzë 12-vjeçare nga Kosova, që është e bekuar nga Zoti”, “Një 12-vjeçar nga Kosova që ka nevojë për besimtar”.

Numri i fëmijëve të kontaktuar nga kjo organizatë është rreth 3200.

“Fotot janë mbledhur nga ne në shkollat e Lipjanit. Por në atë kohë ne i kemi lajmëruar prindërit dhe shkollat e institucionet se ashtu na është thënë që këto foto e video, dhe të dhënat do të jenë konfidenciale e të ruajtura. Por që fatkeqësisht imazhet e fëmijëve, fotot e videot me përshkrime denigurese janë publikuar në uebfaqe ku ka qasje e gjithë bota dhe këto informata rreth fëmijëve më s’ishin konfidenciale”, ka thënë ish-punëtori Alban Gajtani.

Edhe Shpërndau video me përmbajtje të abuzimit seksual me fëmijë, lirohet në procedurë të rregullt Kronikë Shpërndau video me përmbajtje të abuzimit seksual me fëmijë, lirohet në procedurë të rregullt

Ish-punëtorja Selvije Kurti, që ka punuar si lehtësuese e zhvillimeve, ka treguar se gjithçka e prezantuar si e sigurt, ka dalë të mos jetë ashtu. Ideja ka qenë që njerëz që kanë dashur të ndihmojnë fëmijë të caktuar, nëpërmjet organizatës kanë dërguar ndihma për fëmijët në nevojë. Kanë përdorur edhe letrat si formë komunikimi me ata që i kanë sponsorizuar.

“Në fakt ka ndodhur, që janë hapur fotot e videot, janë paraqitur publikisht, s’është thënë kjo gjë para prindërve apo institucioneve. Kjo paraqet rrezik sepse për mendimin tim, është rrezik për sigurinë e fëmijëve, sepse janë të dhëna të ndjeshme, mund ta kontaktojë secili edhe pse organizata ka thënë se garanton sigurinë”, ka thënë ajo duke shtuar se është keqpërdorur tejmase besimi i prindërve të cilët kanë lejuar që të jepen të dhënat e fëmijëve të tyre.

Ajo ka shtuar se organizata ka zgjedhur slogane të ndjeshme që sponsorizuesit të cilët kanë dërguar mjete në organizatë të prekeshin e të rritnin ndihmat.

Ish-punëtorja tjetër, Bletë Rashiti, që ka punuar si koordinatore e terrenit, ka thënë se ekziston rrezik i madh që kushdo që ka pasur qasje në fotografi të kontaktojë lehtësisht me fëmijët.

Ndër letrat e shumta ishin edhe ato se si “e mbaj fotografinë tënde mbi frigorifer dhe e shoh çdo ditë”, apo se “jam sponsori yt, jam beqar, po mundohem të ndihmoj të tjerët që kanë probleme me depresion” dhe si “je shumë e bukur dhe dua të dëgjoj diçka nga ti”.

Sipas saj, dyshimet u nisën kur u pa se letra të njëjta janë dërguar për fëmijë të ndryshëm.

Edhe Arrestohen tre persona për shpërndarje të përmbajtjeve të keqpërdorimit seksual të fëmijëve Kronikë Arrestohen tre persona për shpërndarje të përmbajtjeve të keqpërdorimit seksual të fëmijëve

“Dyshuam se organizata ka qëllim për të përçuar mesazhe të caktuara”, ka thënë ish-punëtorja duke i apostrofuar si letra me përmbajtje kryesisht fetare.

Ata kanë thënë se kur kanë parë se situata po shkon drejt eskalimit dhe përmbajtja e letrave s’ishte aspak e përshtatshme, kanë ngritur zërin dhe e kanë ndërprerë punën. Kanë thënë se i kanë njoftuar institucionet dhe shkollat nga ku janë marrë evidencat e fëmijëve.

Komuna e Lipjanit ka dërguar shkresë zyrtare ku i është tërhequr vërejtja organizatës, por s’janë marrë parasysh e në korrik 2021 Komuna është detyruar ta ndërpresë bashkëpunimin. Kanë treguar se janë pritur edhe nga Ministria e Arsimit. Ndërkaq nga Inspektorati i Arsimit kanë thënë për emisionin se s’është kompetencë e MASHT-it që të merret me organizata joqeveritare edhe pse ngjarja ka ndodhur në shkolla. Nga MASHT-i kanë thënë se marrëveshja është pezulluar përkohësisht.

Ish-punëtorët kanë treguar se rastin e kanë paraqitur edhe në Polici dhe se u ishte ofruar ndihma nga Komuna e Lipjanit me qëllimin që keqpërdorimi të mos zgjerohej edhe në komuna të tjera.

Të tre kanë thënë se dyshojnë që kompania ka tentuar të heshtë rastin në institucionet e drejtësisë.

Edhe E mitura ankohet në Polici, ia keqpërdorën fotot e videot në rrjete sociale Kronikë E mitura ankohet në Polici, ia keqpërdorën fotot e videot në rrjete sociale

Ata kanë thënë se qëllimi i rrëfimit të tyre është që të ngrihet alarmi për sigurinë e fëmijëve në shkolla.

“World Vision Kosovo” ka thënë për KTV-në se i njeh brengat e programit në Kosovë dhe se ka nisur shqyrtim të brendshëm të procesit të punës dhe se ka nisur një analizë të thuktë të procesit të sponsorizimit në Lipjan dhe se po i përditëson dhe standardet dhe udhëzuesit për zyrat për mbledhjen e fondeve.