E dërguara e posaçme e Kohës, Saranda Ramaj, në një lidhje direkte nga Ukraina, përkatësisht nga qytetit Lviv ka rrëfyer se si ka hyrë në këtë shtet me pasaportë të Kosovës.
Ajo në një lidhje direkte në emisionin Interaktiv ka thënë se janë disa lloje kufijsh, duke shtuar se ka pika kufitare më të lehta e disa më të rrepta, porse sipas saj kalimi në këmbë është më i lehtë. Ramaj ka thënë se ka ecur disa kilometra në këmbë për të udhëtuar pastaj me një autobus.
“Synimi im ka qenë që në ditën e parë të futem në Ukrainë, duke marrë parasysh raportet apo mosnjohjen nga Ukraina për Kosovën. Sa kemi raportuar nga stacionet e trenit e pikat kalimtare kemi takuar gazetarë e vullnetarë që na ka ndihmuar në ardhjen këtu. Kam biseduar me vullnetarët që më kanë lehtësuar. S’kam prezantuar diçka të rreme, por pasaportën time, diçka të Kosovës. S’pati reagim, por pati shumë pyetje se përse po shkoja, përse tash në kohë krize, ju tregova se si gazetare po shkoj pikërisht për shkak të situatës së krizës”, ka thënë ajo.
Ramaj ka thënë se i është vulosur pasaporta dhe në Ukrainë ka hyrë në mënyrë të ligjshme.
“Më është kontrolluar ID-ja dhe me këdo që kam biseduar e kam treguar se jam e Kosovës. S’më ka rënë të bisedoj me policë, por me ID shkruan që jam nga Kosova dhe s’kam pasur problem. Pastaj në hyrje të Lvivit, diku 7-8 kilometra larg qendrës e sheh dallimin se si janë të bëra post-blloqet. Aty vërehet efekti i luftës dhe situata e tensionuar”, ka thënë ajo.