Një anketë e realizuar në Kosovë dhe Shqipëri për marrëdhëniet mes dy shteteve, ka nxjerrë në pah qëndrimet e qytetarëve në të dy anët e kufirit për raportet ndërshtetërore para dhe pas marrëveshjeve që janë duke u nënshkruar mes dy qeverive.
Nën 35 për qind është shifra e atyre që mendojnë se në vitin e kaluar janë përmirësuar raportet ndërshtetërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mendojnë se ato s’kanë lëvizur fare. Përderisa në Shqipëri 45.6 për qind e të anketuarve thonë se raportet vitin e kaluar kanë qenë njëjtë sikur më herët, në Kosovë kështu mendojnë 31 për qind. Se situata është përkeqësuar vitin e shkuar në raportet ndërshtetërore, mendojnë 18 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë dhe 11.3 për qind e të anketuarve në Shqipëri. Se gjendja është përkeqësuar shumë në Kosovë mendojnë tre për qind, ndërsa në Shqipëri më pak se një për qind.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Se a duhet që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë shumë më të mira krahasuar me vendet tjera të Ballkanit mendojnë shumica dërrmuese e qytetarëve.

Ata po ashtu shohin se qytetarët janë më pranë njëri-tjetrit sesa qeveritë e tyre. E përgjigje më pozitive për këtë kanë dhënë në Shqipëri, në krahasim me qytetarët e anketuar në Kosovë.

29.8 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë dhe 28.8 për qind e atyre të anketuar në Shqipëri s’kanë informata për marrëveshjet e deritashme të arritura mes dy shteteve.
61.7 për qind e qytetarëve në Shqipëri thonë se ato s’kanë pasur ndikim në jetën e tyre të përditshme, ndërsa në Kosovë përqindja ka qenë 26.53 për qind.

Hulumtimi është realizuar në Kosovë dhe Shqipëri gjatë muajit tetor nga “Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur” dhe “Fondacioni Shoqëria e Haur për Shqipërinë”. Në Kosovë janë anketuar 950 qytetarë, ndërsa në Shqipëri 1000. Të gjithë mbi moshën 18-vjeçare.
Të premten dy Qeveritë do të takohen në Elbasan për mbledhjen e përbashkët. Aty pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.