Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si e implikon Prokuroria Qeverinë në rastin e rezervave shtetërore

kurti

Albin Kurti

Qeveria e Kosovës në të paktën një rast është implikuar nga Prokuroria Speciale në dosjen e ngritur ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni, të dyshuar për dallavere me rezervat shtetërore.

Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmen Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore. Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare. Në dokument theksohet se vlera e dëmit të pretenduar është 601 mijë e 940 euro.

Sipas Prokurorisë, Lipovica në këtë rast ka vepruar në një vendim të Qeverisë “që kishte bazën në kërkesë të kundërligjshme të të pandehurit” për formimin e Komisionit për negocim të kontratave.

“Nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës (MINT) në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zëvendëssekretar i përgjithshëm me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar, ashtu që me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, përkatësisht dispozitat e nenit 19 dhe 20 të Ligjit 03/L-244 për Rezervat Shtetërore, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore, ku në vend të kësaj me datë 25.02.2022 ka adresuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës kërkesën me nr.ref. 02/2022 për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si ‘sekrete’ me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin me ref.nr.02/nr.55, datë 03.03.2022 për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rzervës Shtetërore, për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik, e më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE ‘Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi’ dhe ‘Xanto SP’ ZO.O.In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit, duke i mundësuar të pandehurit Ridan Muharremi që ta luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontrata me nr.prot.1467-02, datë 13.03.2022...”

Në dosje Lipovica e Gara pretendohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lejuar anashkalimin e procedurës së hapur të prokurimit publik. Në dosje theksohet se ishte nënshkruar kontrata për blerje të 10 mijë tonëve nga Turqia për 4.834.778 euro dhe më pas ishte nënshkruar një kontratë për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, për 276 mijë euro. Prokuroria ka shprehur pretendimin se furnizimi është paguar 100 për qind avanc.