Në emër të shumicës parlamentare, LSDM-ja, në një nga ditët në vijim do t’i dërgojë presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, garancitë e kërkuar për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re.
Sipas LSDM-së, programi për punën e qeverisë është garancia më e mirë për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit dhe se Ivanov sa më parë duhet të japë mandatin të nominuarit të saj për kryeministër Zoran Zaev.
“Në fakt unitarizmi në asnjë moment nuk ishte i rrezikuar. Këtë shumë mirë e dini dhe sapo të krijohen kushte, një orë e më parë atë që e kemi deklaruar në programin për qeverisje do t’ia themi edhe Ivanovit. Është koha e fundit që ai të respektoj Kushtetutën dhe sa më parë t’i jep mandatin Zoran Zaevit dhe të formohet qeveri të re”, tha Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.
Edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili i dërgoi letrën Ivanovit me kërkesën për dhënien e mandatit Zaevit, tha se VMRO-DPMNE duhet të pajtohet me faktin se në Kuvend është formuar shumicë e re me një program të qartë dhe se presidenti duhet të veproj në bazë të kushtetutës
“Opozita duhet të jetë e vetëdijshme se shumica parlamentare duhet ta aplikojë dhe realizojë programin e saj sepse në bazë të asaj programi populli ia ka dhënë përkrahjen në udhëheqjen e shtetit. Ndoshta kjo në shikim të parë duket si antagonizëm i tejkalueshëm, por nuk është ashtu”, tha Xhaferi.
Nga BDI-ja e Ali Ahmetit përkrahin liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe garancitë që ai do t’ia dorëzojë kreut të shtetit George Ivanov.
“Ne i kemi dhënë mbështetje Zaevit që në emër të shumicës parlamentare t’ia dorëzojë Ivanovit garancitë e kërkuara për mandatin për formimin e qeverisë së re”, njoftojnë nga BDI.
Edhe
Shumica e re: Do të garantojmë unitetin te presidenti Ivanov
Edhe nga Lëvizja Besa deklaruan se Zoran Zaev dhe LSDM-ja kanë përkrahjen në aspektin e garancive që Ivanov i kërkon për dhënien e mandatit.
Ndërsa nga Aleanca për shqiptarët thonë i takon LSDM-së dhe Zaevit të kërkojë mandatin për qeverinë e re.
Afati për dorëzimin e mandatit skadon më 19 maj. Nga LSDM-ja mbeten në qëndrimin se qeveri të re do të ketë dhe se në rast të refuzimit nga presidenti Ivanov, shumica e re do të veprojë sikur edhe në rastin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.