Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shumë raste sociale, Mitrovica kërkon ndihmë nga Qeveria

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë vizituar Komunën e Mitrovicës dhe nga drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, janë njoftuar në lidhje me gjendjen aktuale në njësitë përbërëse të drejtorisë së saj.

Në takim ishin prezentë Time Kadrija, kryesuese e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, Fatmire Kollçaku Mulhaxha, anëtare të komisionit, si dhe Shpresa Ramosaj.

Deputetja Besa Baftiu tha se qëllimi i këtij takimit është njohja nga afër me punën që bëhet në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe familjet që janë në nevojë në Mitrovicë dhe respektimi i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Drejtoresha Kërveshi gjatë këtij takimi ka kërkuar nga niveli qendror që të mbështesin qytetin e Mitrovicës ku aktualisht numri i familjeve me raste sociale është shumë i madh dhe njëkohësisht ajo kërkoi mbështetje për strehimoren e Viktimave të Dhunës në Mitrovicë.

Në këtë takim si rekomandim ishte që të ndahet një grandë i veçantë për sektorin e mirëqenies sociale. Po ashtu nga kjo drejtori u kërkua që në koordinim me Qendrën për Punë Sociale të përgatitet një raport më vështirësitë që po përballët kjo drejtori, i cili më tutje do të trajtohet nga Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.